33-vjeçari i vë flakën apartamentit, për pak djeg motër e vëlla
Policia zbardh brenda 48 orësh djegien e një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, brenda të cilit ndodheshin dy persona
Policia e Vlorës ka zbardhur brenda 48 orësh autorësinë dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje e cila fillimisht ishte dyshuar si aksidentale.
Në pranga ka rënë shtetasi B. H., 33 vjeç, i dyshuar se i ka vënë zjarrin derës së apartamentit në orët e para të mëngjesit. Në momentin e ngjarjes, brenda banesës ndodheshin dy persona, vëlla e motër.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se motivi i ngjarjes lidhet me konkurrencën në biznes. 33-vjeçari dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies me qira të apartamenteve në qytetin e Vlorës.
Si pasojë e zjarrit, banesa pësoi dëme të konsiderueshme materiale. Fatmirësisht, dy personat që ndodheshin brenda apartamentit nuk kanë pësuar dëmtime.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:40 të datës 4 gusht 2026. Menjëherë pas njoftimit për zjarrin, specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, nisën veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.
Pas veprimeve hetimore, uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



