SKANDALI I RI I QIRAVE SHTETËRORE / Policia e Shtetit paguan mbi 33 mijë euro për makinë me qira për 4 vite!
Një tjetër tender i dyshimtë është finalizuar nga Policia e Shtetit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), këtë herë për marrjen me qira të automjeteve. Bëhet fjalë për një kontratë shumëvjeçare, ku dy kompani do të përfitojnë miliona euro nga buxheti i shtetit, ndërkohë që çmimet janë thuajse identike me blerjen e mjeteve të reja.
Sipas dokumenteve të siguruara, Policia e Shtetit do të marrë me qira 60 mjete Sedan dhe 60 mjete SUV për një periudhë katërvjeçare, me një kosto që shkon përtej çdo logjike ekonomike. Çdo automjet Sedan do të paguhet rreth 33 mijë euro, ndërsa një SUV rreth 34 mijë euro – çmime të krahasueshme me vlerën e tregut për blerjen e këtyre makinave.
Skualifikohen ofertat më të ulëta
Fituesi për tenderin e mjeteve Sedan është shpallur kompania “EUROCAR RENTALS”, e cila ofroi 198 milionë lekë (rreth 1.8 milionë euro), ndonëse një ofertë më e ulët nga “ALBANIA MOTOR COMPANY” prej 171 milionë lekësh u skualifikua me justifikimin se “nuk kishte punë të ngjashme në 3 vitet e fundit”.
E njëjta skemë edhe me SUV-të: Kompania fituese “MEKTRIN MOTORS” fitoi tenderin me 201 milionë lekë, megjithëse “ALBANIA MOTOR COMPANY” dhe “PORSCHE LEASING” kishin oferta më të lira – por sërish u skualifikuan. Në rastin e “PORSCHE”, arsyeja ishte mungesa e të dhënave për ortakët. Dyshime të forta ngrihen mbi mënyrën si janë skualifikuar sistematikisht ofertat më të leverdishme për shtetin.
Një marrëveshje e paarsyeshme dhe e dëmshme për taksapaguesit
Kontratat parashikojnë që pas përfundimit të 4 viteve, mjetet të dorëzohen sërish tek firmat përkatëse. Kjo do të thotë se shteti paguan çmimin e plotë të një makine të re, e përdor për disa vite dhe pastaj nuk zotëron asgjë.
Për më tepër, kontratat përfshijnë një tavan kilometrash prej 130.000 km në 4 vite për çdo makinë, duke shtuar kufizime të tjera në përdorim. Nëse policia i tejkalon këto kufij, kostot mund të rriten akoma më shumë.
Afera e radhës me firmë qeveritare
Kjo nuk është hera e parë që marrëveshjet për makina me qira nga Policia e Shtetit shoqërohen me dyshime. Edhe më parë është denoncuar fakti se shumë automjete të marra me qira kanë mbetur në rrugë, kanë pasur defekte serioze ose nuk janë përdorur fare.
Ky tender ngre pyetje serioze për konkurrencën reale, arsyetimin ekonomik të marrëveshjes dhe mbi të gjitha, për kujdesin që institucionet duhet të tregojnë ndaj parave të qytetarëve.