3500 qytetarë firmosin në 48 orë kundër bashkimit të Prrenjasit me Librazhdin
Reforma e re territoriale ka hapur një valë kundërshtimesh nga komunitete të ndryshme në vend, të cilat kërkojnë që zonat e tyre të mos bashkohen me bashki të tjera dhe të ruajnë autonominë administrative.
Vetëm në 48 orë, rreth 3500 qytetarë të Prrenjasit kanë firmosur një peticion kundër bashkimit të kësaj bashkie me Librazhdin, duke kërkuar që Prrenjasi të vijojë të jetë një njësi administrative më vete.
Por pakënaqësitë ndaj ndryshimeve të mundshme territoriale nuk janë shfaqur vetëm në Prrenjas. Një nga kërkesat më të hershme është ajo e banorëve të Devollit, të cilët kanë depozituar një peticion me mbështetje të gjerë qytetare, duke kërkuar ruajtjen e bashkisë së tyre në hartën e re administrative.
Në raportin përfundimtar të paraqitur në Kuvend nga Komisioni për Reformën Territoriale, theksohet se qytetarët e Devollit kërkojnë që kjo zonë të mbetet njësi më vete, ndërsa kërkohet gjithashtu përfshirja e fshatit Dardhë në territorin e saj.
Sipas raportit, peticioni i banorëve të Devollit është shoqëruar edhe me mbështetjen zyrtare të një shoqate atdhetare-kulturore me degë brenda dhe jashtë vendit. Në kërkesat e tyre përfshihet edhe zhvillimi i një referendumi popullor në rast se Kuvendi nuk do ta miratojë këtë propozim.
Përveç Devollit dhe Prrenjasit, edhe zona të tjera kanë paraqitur kërkesa për ndryshime në ndarjen territoriale. Diaspora e Hasit në Mbretërinë e Bashkuar ka shprehur shqetësimin e saj për çdo ndryshim të mundshëm territorial që mund të ndikojë në lidhjet sociale dhe angazhimin e komunitetit jashtë vendit.
Ndërkohë, Bashkia Konispol, Këshilli Bashkiak i Poliçanit, shoqata vendore në Poliçan, një organizim nga Fushë-Arrëza, si dhe qytetarë nga Manëzi, Ishmi dhe Sukthi kanë kërkuar që procesi i konsultimit për reformën të zhvillohet më pranë komuniteteve lokale.
Sipas tyre, dëgjesat e organizuara kryesisht në qendrat e qarqeve kanë kufizuar pjesëmarrjen reale të banorëve në këtë proces. Në rastin e Fushë-Arrëzës, kërkesa lidhet edhe me argumentin se zona ka potenciale natyrore dhe trashëgimi të mjaftueshme për të funksionuar si bashki më vete.
Një tjetër kërkesë ka ardhur nga banorët e Velipojës, të cilët kanë kërkuar shkëputjen nga Bashkia Shkodër dhe krijimin e një bashkie më vete, duke argumentuar distancën, potencialin turistik dhe nevojën për një vendimmarrje më të afërt me qytetarët.
Edhe komuniteti i Shpatit në Elbasan ka paraqitur argumente historike, krahinore dhe demografike për krijimin e një Bashkie Shpat, ndërsa përfaqësues të një subjekti politik që lidhet me komunitetin maqedonas kanë kërkuar krijimin e njësive të veçanta administrative për zonat e Gollobordës dhe Gorës.
Një tjetër kërkesë vjen nga banorët e Martaneshit, të cilët kërkojnë kalimin e njësisë së tyre administrative nga Bashkia Bulqizë në Bashkinë Tiranë, duke u bazuar në lidhjet kulturore, historike dhe mundësitë për zhvillim ekonomik.
Procesi i Reformës Territoriale duket se do të shoqërohet me debate të forta, pasi shumë komunitete kërkojnë që vendimmarrja të marrë parasysh identitetin lokal, distancat gjeografike dhe nevojat konkrete të banorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



