425 tentativa për të hakeruar kompjuterin e Altin Dumanit
Kompjuteri i ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ka qenë objekt i 425 përpjekjeve për hakërim gjatë periudhës shkurt–mars të vitit të kaluar.
Emisioni investigativ “Në Shënjestër”, zbuloi këtë të martë të dhëna të reja nga dosja hetimore që lidhet me ndërhyrjen e paligjshme në kompjuterët dhe adresat elektronike të disa prokurorëve të SPAK. Për këtë çështje akuzohen Agim Ismaili, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, si edhe dy persona të afërt me të, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.
Hetimi ngre pikëpyetje serioze mbi dosjet konkrete që të pandehurit kanë arritur të sigurojnë përmes hakërimit të e-maileve të prokurorëve të SPAK, si dhe arsyet pse Agim Ismaili ishte veçanërisht i interesuar të verifikonte nëse kishte apo jo një hetim të hapur ndaj eprorit të tij politik, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, gjithçka nisi të zbulohej përmes veprimtarisë së shtetasit Zambak Gjoni. Ky i fundit kishte qenë fillimisht punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe më pas në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit.
Gjatë verifikimeve rezultoi se Gjoni zotëronte në mënyrë të pajustifikuar materiale hetimore të klasifikuara, të pajisura me vulën “sekret”. Dokumente të cilat, sipas hetimit, në muajin mars të vitit 2025, ai ia kishte përcjellë për publikim një gazetari të njohur, përmes portalit që ky i fundit administronte.
Ky veprim u shndërrua në një gabim fatal për autorët, pasi gazetari, sapo u njoh me përmbajtjen e materialeve dhe kuptoi se bëhej fjalë për një dosje ende në hetim, si dhe për pasoja të rënda ligjore në rast publikimi, njoftoi menjëherë strukturat e SPAK.
Menjëherë pas këtij sinjalizimi, SPAK nisi një hetim të brendshëm për të zbuluar mënyrën se si informacioni kishte dalë nga brenda institucionit, në një kohë kur çështja ndodhej ende në fazë përpunimi dhe nuk ishte bërë publike.
Për ngjarjen u informua edhe drejtuesi i atëhershëm i SPAK, Altin Dumani, i cili urdhëroi nisjen e një hetimi të zgjeruar për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacionit dhe personat përgjegjës.
Dosja hetimore
Më datë 12 mars 2025, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka vënë në dijeni prokurorin e çështjes se shtetasi Zambak Gjoni i kishte dërguar administratorit të një portali mediatik materiale në lidhje me procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022, të cilat i dispononte në format elektronik “Word”.
Ky procedim penal pason çështjen nr. 277 të vitit 2020, e cila ka në qendër hetimin e procedurës së dhënies me koncesion shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Elbasan dhe prodhimin e energjisë, si dhe zbatimin e mëvonshëm të detyrimeve të marra përsipër nga kjo shoqëri.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria ka kërkuar dërgimin për gjykim të disa të pandehurve, mes tyre ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, Alqi Bllako, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, si dhe persona të tjerë.
Hetimi hedh dritë edhe mbi komunikimet e zhvilluara mes Zambak Gjonit, Arnold Rrokajt dhe Agim Ismailit, si dhe arsyet reale të interesimit të tyre për këto dosje. Një interes që ata janë përpjekur ta justifikojnë si “kuriozitet” përpara oficerëve të policisë gjyqësore, ndërsa dyshimet e hetimit shkojnë më tej, duke ngritur hipotezën se materialet hetimore mund të përdoreshin për shantazh ndaj personave nën hetim nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, nga këqyrja e aparatit celular të prokurorit që po hetonte aferën e inceneratorit të Elbasanit, rezultoi se materialet e gjetura në telefonin e tij përkonin plotësisht me dokumentet që Zambak Gjoni kishte shpërndarë te gazetari, i cili më pas kishte bërë denoncimin zyrtar pranë SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



