E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Habit Altin Dumani, kërkon që gjyqet të bëhen pa avokatë në sallë
Lajme

Habit Altin Dumani, kërkon që gjyqet të bëhen pa avokatë në sallë

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për më 27 tetor, pasi avokatët mbrojtës nuk u paraqitën në gjykatë. Për mungesën e tyre, GJKKO ka vendosur gjoba prej 100 mijë lekësh të reja për secilin avokat.

Në seancë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me kërkesë të prokurorit Altin Dumani, kërkoi që procesi gjyqësor të vijojë edhe në mungesë të avokatëve, në rast se ata nuk paraqiten në seancat e radhës.

Sipas qëndrimit të prokurorisë, sjellja e të pandehurve dhe e mbrojtësve të tyre duhet të shqyrtohet nga gjykata për të përcaktuar nëse mund të konsiderohet heqje dorë nga e drejta për mbrojtje me avokat.

“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, u shpreh Altin Dumani.

GJKKO cakton avokatë nga ndihma juridike falas

Gjykata nuk është shprehur përfundimisht mbi kërkesën e SPAK, duke e lënë vendimmarrjen për një moment të dytë. Ndërkohë, për seancën e radhës, të caktuar më 27 tetor, është vendosur të thirren avokatë nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo masë synon të mundësojë zhvillimin e procesit në kushtet e mungesës së mbrojtësve të zgjedhur, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vlerësohet kërkesa e prokurorisë për vijimin e gjykimit pa avokatët që nuk paraqiten.

Çështja rikthen në vëmendje përplasjen mes detyrimit për të garantuar zhvillimin e procesit gjyqësor dhe respektimit të së drejtës së të pandehurit për t’u mbrojtur. Vendimi që do të marrë GJKKO për kërkesën e SPAK do të përcaktojë mënyrën se si do të procedohet nëse mungesat e avokatëve vijojnë edhe në seancat e ardhshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.