48-vjeçari shqiptar arratiset nga burgu i Koridhalos në Greqi
Një incident i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Greqi, ku një i burgosur ka arritur të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë në Koridhalos, në Athinë.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, 48-vjeçarin Edmond Tafa, i cili po vuante një dënim të gjatë për vepra penale që lidhen me trafikun e narkotikëve.
Arratisja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 09:00, në një moment kur brenda institucionit po kryheshin procedura të zakonshme. Burime nga autoritetet greke bëjnë me dije se i dënuari ka shfrytëzuar një hapësirë sigurie në zonën e depos qendrore të materialeve, duke përfituar nga një derë e hapur dhe një moment mungese vëmendjeje nga ana e stafit.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, është ngritur në alarm policia greke dhe janë aktivizuar kontrolle të gjera për kapjen e të arratisurit, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësitë e mundshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



