Shkatërrohet rrjeti i kokainës i lidhur me ‘Ndrangheta-n’, 33 të arrestuar
Një operacion i gjerë i autoriteteve italiane ka çuar në arrestimin e 33 personave, të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, me lidhje me disa klane të mafies së fuqishme kalabreze ‘Ndrangheta.
Organizata kriminale shtrinte aktivitetin e saj në Kalabri dhe në disa zona të Italisë Qendrore, ndërsa hetimet kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar për importimin, përpunimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e aktivitetit kanë luajtur komunikimet e koduara në platformën SkyECC. Përmes tyre, hetuesit kanë dokumentuar dërgesa kokaine që arrinin nga 1 deri në 1.5 tonë, me një nivel pastërtie deri në 94%.
Nga transporti detar te laboratorët e kokainës
Sipas hetimeve, rrjeti kishte ndërtuar një strukturë të ndarë në disa grupe, ku secili kishte detyra të përcaktuara. Disa persona merreshin me nxjerrjen e drogës nga deti, të tjerë me transportin ajror, përpunimin e kokainës dhe pastrimin e parave.
Në skemë dyshohet se ishin përfshirë edhe ndërmjetës kinezë që vepronin në Romë, duke ndihmuar në funksionimin e mekanizmit financiar dhe logjistik të organizatës.
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu laboratorë të posaçëm për përpunimin e drogës, automjete të modifikuara për transportin e saj dhe kompani fiktive, të cilat dyshohet se përdoreshin për të mbuluar aktivitetin kriminal dhe për të pastruar të ardhurat.
Kallashnikovë dhe eksplozivë në duart e organizatës
Përmasat e aktivitetit nuk kufizoheshin vetëm te trafiku i kokainës. Sipas hetuesve, grupi ishte i përfshirë edhe në trafikun e armëve dhe sigurimin e mbështetjes logjistike për persona në kërkim.
Anëtarët e organizatës dispononin armë automatike të tipit kallashnikov dhe eksplozivë, çka dëshmon për nivelin e armatimit dhe kapacitetet e grupit kriminal.
Autoritetet italiane kanë vënë në dukje se aksesi në komunikimet e enkriptuara të SkyECC ishte vendimtar për identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e aktivitetit të rrjetit.
Hetuesit paralajmërojnë se përdorimi i sistemeve gjithnjë e më të sofistikuara të komunikimit të koduar mund t’i bëjë më të vështira hetimet e ardhshme kundër organizatave mafioze që importojnë kokainë në shkallë të gjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



