E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deklarata e Sorecës, Neritan Liçaj: Tani e more vesh që kjo çështje është e politizuar?
Lajme

Deklarata e Sorecës, Neritan Liçaj: Tani e more vesh që kjo çështje është e politizuar?

Aktori Neritan Liçaj dhe regjisori Edmond Budina kanë reaguar pas deklaratave të ambasadorit të BE, Luigi Soreca.

Tek sheshi i tetarit Liçaj tha se nuk i kishte pëlqyer ajo që kishte thënë Soreca, ndërsa shtoi se me deklaratën e tij tregoi paaftësinë e tij si diplomat.   

 

 

 

Ndërkohë, regjisori Budina tha “më vjen turp nga zoti Soreca” dhe se nuk mund të rri indiferent kur shikon se çfarë po ndodh në vendin tonë.

Neritan Liçaj:

Më vjen mirë që përherë e më tepër këtë shesh e shikoj me shumë njerëz, të cilët vijnë për të na mbështetur me zemër. Janë qytetarë, njerëz të lirë, të cilët mendojnë vërtetë për këtë vend, mendojnë vërtetë për ato vlera që ai përfaqëson. Mendojnë për vlerat artistike që ka vendi ynë. Unë e kam thënë shpesh dhe po e rithem, se ne jemi popull me temperament shumë të fortë, dhe do nxjerrim gjithmonë artistë shumë të mirë që për fatin tonë të keq kanë një Qeveri që i zbon nga ky vend. Po të shikoni artistët tanë që dalin jashtë korrin suksese të jashtëzakonshme. Ndërkohë që do të ishte mirë që ato suksese t’i korrnin në vendin e tyre, ku gjejnë armiqësi nga pushteti që kërkon të shkatërrojë vlerat artistike dhe historike të këtij vendi. Unë sot dëgjova ambasadorin e BE-së zotin Soreca dhe do të doja pak edhe ta komentoja, sepse të jem i sinqertë nuk më pëlqeu aspak ajo që tha.

Zoti Soreca u shpreh, se kjo është kthyer në një çështje politike, atëherë bën gabim që thotë këtë gjë se tregon paaftësinë e vet si diplomat. Pse? Tani e mori vesh Soreca se kjo është çështje e politizuar. Përse nuk pyet Qeverinë shqiptare, përse na sulmojnë ne artistëve dhe popullit politikisht? Ta pyes njëherë? Sepse këshilli i Europës i ka dërguar 15 pyetje Qeverisë shqiptare, që po ti lexosh ato 15 pyetje janë pushkatim politik. Dhe qeveria nuk i ka kthyer përgjigje akoma, përse nuk i kërkoni llogari meqenëse jeni ambasador i BE-së? Për çfarë tenderi të hapur flisni, sepse i bie të jeni shumë naiv nëqoftëse mendoni se në Shqipëri ka ende ndonjë tender të hapur. Përse duhet të flisni për investiturë Europiane kur ju e dini fare mirë që s’ka asnjë investitor europian që mund të fitojë atë tender përveç firmës Fusha.

Mos më thoni që jeni kaq naiv. Dhe nëqoftëse ju ka plasur si ndërkombëtarë bomba e reformës në drejtësi , dhe s’dini si t’ia bëni hallin. Ju  dhe ndërkombëtarët e tjerë kërkoni stabilitet në Shqipëri? Nuk ka stabilitet pa demokraci dhe ju e dini shumë mirë këtë! Sepse fëmijët tuaj të afërmit tuaj, në vendet ku janë në të gjithë të drejtën e tyre njerëzore kanë shtet kanë ligje, ka sistem drejtësie që i mbron, kurse fëmijët e mi,  nuk i, mbron askush! Fëmijët e këtyre njerëzve këtu, fatet e artit, të bizneseve, të fermerëve, të biznesit të vogël., të kushtetutës shqiptare, nuk I mbron askush! Dhe mos kërkoni stabilitet kur ne s’ka kush na mbron se jeni bërë patericë e një qeverie perverse. Prandaj zoti Soreca bëj diplomatin dhe jo politikanin. Po të kujtoj fjalën e një diplomati të madh që vdiq në Siri: Detyra e parë e diplomatit është të bisedojë me popullin ju bisedoni vetëm me pushtetin.

Edmond Budina:

Vij këtu jo vetëm si një njeri që dua të mbroj Teatrin Kombëtar por edhe si nënshtetas italian, si një qytetar i komunitetit europian për të thënë që më vjen turp nga zoti Soreca. Të marrësh anën e atyre që shkelin ligjin, që shkelin kushtetutën, dhe të bësh sikur nuk shikon se çfarë po ndodh këtu në këtë vend, ku tërhiqen zvarrë njerëzit e kulturës më duket tepër pak për ato që ka bërë. T’ju vijë turp! Çfarë do të bënit ju zoti Soreca nëse në qytetin tuaj të lindjes në Napoli do prishej teatri, ku unë kam luajtur; ose në Romë të prishej teatro Valle ku unë kam luajtur. Do rrinit indiferentë? Ky është një teatër që e kanë ndërtuar bashkatdhetarët tuaj dhe nuk mund të prishet. Nuk mund të shkatërrohet dhe ne do ta mbrojmë z.Soreca. jemi këtu për ta mbrojtur dhe unë nuk dua të mendoj atë që përflitet tavolinave të Tiranës që përfaqësuesit e huaj janë të shitur. Nuk dua ta mendoj as nuk dua ta besoj. Nëse ju dilni kundër vullneteve të popullit shqiptar, atëherë vërtetoni tezën: jeni të shitur.

Dua të shtoj edhe diçka, atë ditë më datë 24 ata, policët u sollën ashpërsisht me ne. Kam marrë përkrahje nga shumë qytetarë dhe i falënderoj me gjithë shpirt. Falënderoj sindikatën e artistëve dhe aktorëve të Kosovës që na mbështeti. Falënderoj presidentin e Republikës, faleminderit Ilir. Faleminderit që u gjende në këtë moment të vështirë tonin. Dhe kam një keqardhje për të gjithë kolegët e mi. Ata që do të prishin teatrin, ata që na quajnë ne mediokër, ata që fshihen pas pushtetit, ata që marrin shpërblime, se ndryshe nuk mund ta shpjegoj dot që të mos thonë një fjalë, po qoftë edhe një fjalë përkrahjeje. Edhe sikur të kesh këdo kundër për një moment solidariteti me kolegun tënd, kushdo qofsh, duhet ta kesh. Dhe të mos merren me biografira, me të shkuara. Dua të paralajmëroj, ose të them edhe diçka tjetër.

Kushdo qoftë që mbështet kauzën e Teatrit Kombëtar nuk mundet dhe nuk duhet të bëjë pakte me ne fshehurazi. Kushdo që ka mendimin të mbrojë Teatrin Kombëtar të vijë këtu. Sot më është ofruar një bust me lekë, për të thënë që ata janë solidarë me ne. Unë nuk e pranova, thashë hajde në shesh. Dil atje te sheshi i mejdanit dhe ofroi lekët për kauzën e Teatrit Kombëtar. Ne nuk jemi ilegalë, ne jemi këtu. I bëjmë të gjitha në dritën e diellit të filmuara. Ndaj kushdo që ka diçka për kauzën duhet ti bëjë të gjitha këtu në shesh. Cepave e qoshkave nuk bëhet asgjë. Na akuzojnë shpesh se jemi të politizuar, por të politizuar janë ata që duan të prishin teatrin. Kemi bërë një aleancë me opozitën dhe unë them faleminderit që jeni me ne. Kjo është një kauzë qytet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.