16 mijë euro për ndeshje, ja si mund të luhet në stadiumin e ri
Të luhet një ndeshje e kampionatit shqiptar në impiantin e ri “Air Albania”, duhet që si Tirana dhe Partizani dhe çdo skuadër tjetër shqiptare të shkundin mirë xhepat. Ndonëse është premtuar se stadiumi do të ketë një pagesë si “ish” “Qemal Stafa”, e vërteta zor se do të jetë kjo.

Në FSHF thonë që ka një plan që Tirana dhe Partizani, për të përballuar një ndeshje derbi, mund të bëjnë marrëveshje me federatën dhe 70 për qind të biletave t’i marrin klubet dhe 30 për qind federata. Edhe ky opsion plotëson dëshirat e Tiranës dhe Partizanit vetëm në katër ndeshjet derbi, sepse në sfidat e tjera zor se mund të ketë një marrëveshje të tillë. Nga ana tjetër, nëse federata del me një çmim të lartë për stadiumin, Tirana dhe Partizani duhet të marrin masat dhe të punojnë për të ndërtuar në mënyrë perfekte stadiumet e tyre që të mos varen më nga “Air Albania”.

Kjo mund të bëjë që si njëra dhe tjetra skuadër të shpejtojnë punën në stadiumet e tyre. Në fund, edhe nëse arrihet në një marrëveshje meqë mund të luajnë në këtë stadium, klubet duhet të ndajnë sektorët dhe vetë stadiumin. Është në të mirë të tyre të eliminojnë 5-përqindëshin për të përfituar sa më shumë para nga shitja e biletave.
Gjithsesi, këto janë vetëm opsione. Si fillim FSHF duhet të vendosë çmimin fiks për ndeshje dhe më pas do të flasin klubet e kryeqytetit nëse e përballojnë apo jo shifrën që kërkon federata. Në të kundërt, si zakonisht derbi do të luhet në tashmë antikun “Selman Stërmasi”, që me sa duket i ka ditët e numëruara, pasi janë të shumtë zërat që e kërkojnë të shembur edhe impiantin e dytë të kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



