Francë dhe Itali, viktima dhe të humbur nga moti i keq
Viktima dhe të zhdukur në Francë dhe Itali si pasojë e motit të keq me reshje dhe përmbytje. Në jug të Francës, prej motit të keq kanë humbur jetën dy persona dhe një tjetër është deklaruar i humbur, ndërsa qindra shtëpi janë nën ujë. Ndërkohë, në zonën e Ligurias, në Itali, disa rrugë janë shemebur dhe zona të tëra kanë përfunduar nën ujë. Sipas të përditshmes franceze Le Figaro, brenda 48 orëve të fundit, në disa zona në juglindje të Francës, ka rënë ekuivalenti i dy apo tre muajve shi. Në Roquebrune, lumi Argens e rriti nivelin me 7 metra, duke përmbytur gjithçka. Moti i keq prej ditës së djeshme ka vënë në provë edhe Italinë. Në rajonet e Piemontes dhe Ligurias prej motit të keq ka patur një të vdekur dhe një është shpallur i humbur, ndërsa autoritetet kanë ndezur alarmin e kuq. Moti i keq ka shkaktuar edhe rrëshqitje dherash, si pasojë e të cilave është shembur një pjesë e autostradës A6 që lidh Torinon me Savonën. Në disa autostrada është pezulluar qarkullimi, kurse lumi Po është duke u mbajtur nën vëzhgim pasi në disa zona ka dalë nga shtrati dhe ka nisur të përmbytë rrugë dhe shtëpi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



