Vrasja në komisariat, krim në heshtjen e autoriteteve! Autori: Nuk e durova dot më!
Momente të tmerrshme janë shfaqur ditën e djeshme nga një video e dalë nga Komisariati nr. 3 në Tiranë ku shfaqet efektivi, duke ekzekutuar kolegun e tij. Videoja me pamjet horror u shpërnda menjëherë.
Në të vërehen çastet e fundit të jetës së oficerit të Policisë mbi të cilin, kolegu i ri, qëlloi pa iu dridhur dora 5 herë, ndërkohë që brenda ambientit në të cilin ndodhi krimi i rëndë ishin të paktën 8 efektivë policie. Ata nuk ndërhynë të shuajnë sherrin, ndërkohë që në momentin kur Ludjan Zaimi nxori armën ishte e kotë.
Tre efektivët që gjendeshin në korridor nuk ndërhynë, ndërkohë nga salla e vogël tentoi të dilte një efektiv për të mos e lejuar të qëllonte më mbi Çaush Saliasin, por i riu nuk ka ndaluar, e për pasojë, ai ishte tërësisht i pambrojtur përballë furisë së plumbave të të riut. Saliasi është tërhequr zvarrë dhe ka hyrë në sallë me idenë të mbyllte derën, por Zaimi ka vijuar duke ia mbaruar plumbat pistoletës së shërbimit, ndërkohë që policët e sallës, në të cilën dyshohet se nisi edhe konflikti, por ende nuk është bërë e mundur të flasin mbi shkakun që çoi në përgjakjen e komisariatit të tyre mbrëmjen e së hënës.
Zaimi pasi u sigurua se e ka vrarë u nis të ikte me vrap, duke synuar daljen në rrugën “Mine Peza”, por ai u ndalua nga efektivët e tjerë që më pas u bashkuan, por ishte tejet vonë, për jetën e Çaush Saliasit.
NGJARJA NË HESHTJEN E AUTORITETEVE
Referuar pak të dhënave që kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në Komisariatin nr. 3 bëhet me dije se mes të riut dhe efektivit me përvojë në polici kishte pasur konflikt të vazhdueshëm.
Ndonëse Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe autoritetet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë konflikt mes dy oficerëve, bëhet me dije se në momentin që Saliasi dhe Zaimi kanë qenë brenda sallës, vend në të cilin ndodhi edhe vrasja kanë nisur të njëjtën lojë fjalësh, si edhe më parë.
Në fakt, referuar dëshmisë së dhënë nga ana e autorit të krimit, bëhet me dije se gjithçka kishte si motiv faktin se ai ishte ndjerë gjithnjë i fyer prej tij.
Policia e Shtetit zgjodhi të heshtte dje, ndërkohë që nuk u bë me dije nëse efektivi i vrarë nga kolegu do të përcillej me homazhe siç është edhe e përcaktuar. Po ashtu u hesht edhe për shkaqet reale që çuan në vrasjen e punonjësit të Policisë brenda ambienteve të punës dhe në sytë dhe praninë e shumë kolegëve.
HETIMI
Sipas të dhënave hetimore, bëhet e ditur se Saliasi dhe Zaimi ishin në turn bashkë dhe se ky i fundit iu ka thënë kolegëve të vet se ai e shante madje edhe nga familja. Por, nga dëshmia e tij është lënë të kuptohet se përplasja mes tyre nuk ka qenë momentale e për pasojë shefi i sektorit dhe kolegët e tjerë kanë qenë në dijeni të konflikteve mes tyre. Për të verifikuar të gjitha detajet e ngjarjes së rëndë, që në fakt, pason një mori përplasjes të tjera të dhunshme nëpër komisariate me persona të shoqëruar, të ndaluar apo edhe të arrestuar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup hetimi.
Po ashtu, në hetimin e asaj ngjarjeje është ngritur edhe një grup nga Prokuroria e Tiranës, i cili ka bërë të mundur sekuestrimin e pamjeve, të atyre që u shpërndanë ditën e djeshme në media. Kanë dokumentuar dëshminë e autorit, janë sekuestruar praktika shërbimesh dhe po ashtu është hartuar një listë e gjatë me emra të efektivëve që do të dëshmojnë mbi aktin e rëndë, dijeninë për konfliktin për të vërtetuar nëse thëniet e autorit 25-vjeçar janë të sakta.
Zaimi dyshohet se kohëve të fundit ka pasur probleme me stresin, por ende nuk dihet se deri në çfarë mase kanë ndikuar këto probleme në sipërmarrjen e tij kriminale për t’i marrë jetën kolegut, që sipas tij e shante dhe e bullizonte gjatë gjithë kohës. Madje sipas tij, ai e tallte edhe për syzet që mbante, ndërkohë që Zaimi iu ka thënë eprorëve të tij se viktima pinte dhe nuk punonte kur ishin bashkë në turn.
“Kemi ngritur 2 grupe hetimi për vrasjen e plagosjen”
Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka bërë me dije ditën e djeshme se ka nisur hetimet lidhur vrasjen e policit mbrëmjen e së hënës nga kolegu i tij. Ndërkohë që është bërë edhe arrestimi i shtetasit Ludjan Zaimi, me detyrë oficer i Patrullës Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr. 3 Tiranë.
Zaimi në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë nr. 3 Tiranë, qëlloi disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, Çaush Saliasin, i cili vdiq në spital. Grupi i posaçëm hetimor u tha se vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë, ka referuar materialet procedurale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të Policisë, inspektor Lutfi Gjyla, 48 vjeç, efektiv i FNSH-së.
Arrestimi i tij u krye pasi plagosi me armë zjarri një qytetar tjetër në ambientet e një bar kafeje në rrugën “Llazi Miho”. Lutfi Gjyla ka qenë duke konsumuar pije alkoolike dhe ishte në gjendje të dehur, ku më ka përdorur armën e tij të shërbimit, duke qëlluar në drejtim të shtetasit Myrteza Lika. Si pasojë, shtetasi Myrteza Lika ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Myrteza Lika u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në DVP Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



