E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Presidenti Begaj i jep shtetësinë shqiptare këngëtares së famshme Dua Lipa
Lajme

Presidenti Begaj i jep shtetësinë shqiptare këngëtares së famshme Dua Lipa

I ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj i dha shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën.

Presidenti Begaj priti sot artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.

“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Begaj.

Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.

Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.

Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.

Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.