Vendimi i Gjykatës zbardh mënyrën se si u krye krimi: Naim Murseli e siguroj vetë pistoletën për të vrarë bashkëshorten
Ndërsa caktoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, Gjykata e Prishtinës thotë në vendimin e saj se Naim Murseli, bashkëshorti i të ndjerës i ka siguruar vetë armën e zjarrit të llojit pistoletë Granit Pllavës dhe të dy së bashku inskenuan grabitjen.
Në vendim thuhet se mbrëmjen e 29 nëntor rreth orës 20:25 minuta, në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, përpara automjetit të çiftit ka dalë Pllava me armë në dorë dhe i maskuar.
Sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes gjoja për të ikur, ndërsa në veturë ka mbetur e 30-vjeçarja, e cila është qëlluar nga afër me një plumb në qafë, plagë e cila ka qenë vdekjeprurëse për të. E gjithë marrëveshja është bërë për një shumë prej 30 mijë eurosh.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë “paraburgim ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës dhe Kushtrim Kokallës të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Pllava për “Vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.
Tre të akuzuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Në vendimin e gjykatës thuhet:
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



