AKU, gjobë në tri biznese që kishin qumësht të prishur
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur masa ndëshkuese në disa biznese në Durrës, Elbasan dhe Kukës për ushqim të pasigurt.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në qarqet Durrës, Elbasan dhe Kukës, trupat inspektuese të AKU-së në tri subjekte “njësi prodhimi dhe përpunimi të qumështit dhe nënprodukteve të tij”, “Restorant me produkte mikse” dhe “Njësi tregtimi të produkteve ushqimore”, kanë konstatuar probleme me sigurinë ushqimore.
AKU njofton se ka bllokuar një sasi qumështi të freskët pasi ishte i pasigurt si dhe në dy biznese të tjera ka pasur mungesë dokumentacioni sa u përket produkteve.
“Në njërin nga subjektet referuar raport provës së produktit qumësht i freskët, është bllokuar një sasi qumështi me destinacion asgjësimin si ushqim i pasigurt dhe është marrë masë administrative e ndërprerjes së pjesshme së veprimtarisë prodhuese të produktit të qumështit të freskët, ndërsa në dy subjektet e tjera janë konstatuar, mungesë e dokumentacionit në sistemin e vetëkontrollit HACCP dhe mangësi në etiketim”, thuhet në njoftim.
Për këto shkelje të konstatuara trupat inspektuese kanë vendosur masat administrative me gjobë në vlerën e 500,000 lekëve.
AKU në prag të festave të fundvitit, ka intensifikuar edhe më tej kontrollet për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



