Koçiu dhe Manastirliu shpërdoruan 5,2 MLD lekë të mbetjeve spitalore, Ervis Miri që mori 200 tenderat me mashtrim
Një auditim i fundit ka hedhur dritë mbi një skandal të rëndë që prek si shëndetin publik ashtu edhe xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në katër vitet e fundit, rreth 5.2 miliardë lekë janë shpenzuar për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, por rezultatet tregojnë shpërdorime të rënda, tendera abuzivë dhe moszbatime të kontratave, që kanë lënë mbetjet të grumbullohen në spitalet tona, duke rrezikuar shëndetin publik dhe mjedisin.
Ku shkuan paratë e taksapaguesve?
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), nga 39 spitale publike, tre institucionet më të mëdha – QSUT “Nënë Tereza”, Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe Spitali i Traumës – prodhojnë mbi 52.5% të totalit të mbetjeve të rrezikshme. Për trajtimin e tyre, janë shpenzuar rreth 517 milionë lekë çdo vit, me shumë procedura të dyshimta prokurimi dhe çmime të pakoordinuara mes operatorëve ekonomikë.
Nga të dhënat e paraqitura të përpunuara nga grupi i auditimit rezulton se, peshën kryesore në prodhimin e mbetjeve më sipër e zënë 3 spitale me rreth 52.5% të totalit dhe konkretisht: QSUT “Nënë Tereza” 27.5%, Spital “Shefqet Ndroqi” 13.24%, Spitali Traumës 11.75%
Ndërsa Spitali Rajonal Vlorë zë 4.27%, Spitali Rajonal Durrës 4.25%, Spitali Rajonal Korçë 2.59% dhe Spitali Rajonal Shkodër 0.29%.
“Nga auditimit në Spitalin Rajonal Shkodër rezultoi se, dokumentacioni i përdorur për trajtimet në autoklavën e spitalit nuk ishte i plotë ndaj dhe treguesit për këtë institucion merren me rezervë”, thekson KLSH
Në vend që të ketë një sistem të mirëkoordinuar për trajtimin e mbetjeve, autoritetet kanë aplikuar çmime të ndryshme për të njëjtat shërbime, duke krijuar hapësira për abuzime dhe duke ulur cilësinë e trajtimit të mbetjeve. Për shembull, në Spitalin Rajonal të Shkodrës, dokumentacioni për trajtimin e mbetjeve është jo i plotë, ndërsa në Korçë, frigoriferët dhe autoklavat ndodhen në ambiente të papërshtatshme, që përkeqësojnë situatën.
Tenderat abuzivë dhe mashtrimet me licenca
Raporti i KLSH zbardh praktika të dyshimta në prokurime. Shumë spitale kanë përdorur metoda të ndryshme matjeje për mbetjet, si metra kub, ton ose ditë pune, duke e bërë të pamundur llogaritjen e saktë të kostove. Por më skandaloze është fakti që kompanitë kontraktore, si V.A.L.E Recycling, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë fituar mbi 200 tendera pa pasur kapacitetet e nevojshme për trajtimin e mbetjeve.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime dhe ka dhënë masën e detyrimit të paraqitjes për 10 inspektorë mjedisi, të cilët kanë mbuluar shkeljet e këtyre kompanive. Sipas hetimeve, një pajisje kyçe për trajtimin e mbetjeve është importuar vetëm në janar 2024, ndonëse kompania pretendonte se e përdorte që nga viti 2016.
Kush mban përgjegjësi?
Situata është rezultat i drejtimit të paaftë dhe të korruptuar të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë drejtimit nga Ogerta Manastirliu dhe më pas nga Albana Koçiu. Të dyja ministret kanë dështuar të krijojnë një kornizë ligjore për menaxhimin e mbetjeve spitalore, duke e lënë këtë proces të rregullohet nga praktika të paqarta dhe abuzive.
Në vend që të kërkojnë transparencë dhe standarde të larta, institucionet publike kanë favorizuar kompani me reputacion të dyshimtë. Tenderat janë dhënë pa kritere të qarta, duke shkelur çdo parim të menaxhimit të sigurt të mbetjeve dhe duke i ekspozuar qytetarët ndaj rreziqeve të rënda për shëndetin dhe mjedisin.
Kur spitalet bëhen burim sëmundjesh
Në shumë spitale, mbetjet e rrezikshme ruhen në ambiente të papërshtatshme, shpesh pranë mbetjeve urbane. Në Shkodër dhe Korçë, autoklavat ndodhen pranë kaldajave, duke rritur rrezikun e përhapjes së infeksioneve në ajër. Në Durrës dhe Vlorë, ambientet e ruajtjes janë të pakta dhe të papërshtatshme, duke përkeqësuar rreziqet për pacientët dhe stafin.
A ka shpresë për drejtësi?
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës përfshijnë disa nga kompanitë dhe zyrtarët më të përfshirë në këtë skandal, por në Shqipëri drejtësia rrallë ndëshkon të korruptuarit. Ky skandal duhet të shërbejë si një thirrje për zgjim, për të kërkuar përgjegjësi nga ministrat dhe institucionet publike që kanë tradhtuar qytetarët.
Nëse korrupsioni në shëndetësi vazhdon të tolerohet, qytetarët do të paguajnë çmimin më të lartë – jo vetëm në ekonomi, por edhe me jetën e tyre.