Berisha flet për zhdukjen e Vis Martinajt dhe arrestimin e Safet Bajrit
Kryedemokrati Sali Berisha, në një konferencë për mediat, është shprehur se njerëzit, që sipas tij, kërcënohen nga Edi Rama janë zhdukur.
Berisha deklaroi se Kryeministri ka kërcënuar në personal Ervis Martinajn duke i thënë “ta dimë targën”.
Kreu i PD-së thekson se Ervis Martinaj është i vetmi njeri që nuk gjendet, duke ngritur dyshimet për një krim shtetëror.
“Nuk është kërcënuar kurrë në personal, kërcënime në personal kam bërë ndonjëherë vetëm EdI Ramës që kërcënon në personal.
Njerëz të kërcënuar personal nga Edi Rama janë zhdukur pa nam e nishan, po, e kërcënoi në personal dhe “të dimë targën”, Ervis Martinajt dhe është i vetmi njeri që nuk gjendet më, të gjitha gjasat kur nuk gjendet të çojnë drejt një vrasje shtetërore”, tha Berisha.
Berisha është ndalur edhe tek arrestimi i Safet Bajrit.
Sipas Berishës, Safet Bajri është vetëdorëzuar duke hedhur madje edhe dyshime se një gjë e tillë ka ndodhur pas arritjes së një marrëveshjeje me drejtësinë.
“Safet Bajri u vetëdorëzua, por ata nuk dorëzohen kurrë pa një marrëveshje. Mafia e ka ligj një gjë të tillë”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është ndalur në konferencën për shtyp, në lidhje me takimet e zhvilluara në Itali dhe takimin e djeshëm në Greqi, në Athinë.
Ai u shpreh se programi i PD ka gjetur një mbështetje të madhe nga shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit, duke përmendur masat që do të përmirësonin gjendjen ekonomike të emigrantëve, që mbajnë ngarkesën financiare për familjarët e tyre në Shqipëri.
“Edi Rama, rrezik madhor kombëtar, ishte ngulitur thellë në çdo qelizë të qenies së shqiptarëve jashtë vendit.
Programi i PD kishte një pëlqyeshmëri të jashtëzakonshme.
Mos harroni se ata njerëz, direkt si persona, nuk përfitojnë nga ai program, jetojnë jashtë.
Por minimumi jetik prej 200 eurosh për familjarët e tyre, që nuk e kanë, karta e konsumatorit për familjarët që marrin vetëm minimum jetik, ulja e çmimit të energjisë dhe naftës, lehtësirat e tjera për bizneset, ata i përjetonin si mirësi personale.
Sepse janë ata që përballojnë minimumin jetik të familjarëve të tyre.
Dhe tre muajt e parë të qeverisjes së PD, ata çlirohen plotësisht nga kjo barrë.
Kështu që të gjithë emigrantët, familjarët e të cilëve në Shqipëri janë pa punë, janë në ndihmë ekonomike ose marrin pensione nën 200 euro, ose marrin rroga të ulëta nën 500 euro apo paguajnë energjinë me 85 lekë kilovatin, me paketën e emergjencës çlirohen përfundimisht nga detyrimi për të çuar shumën e kafshatës në Shqipëri.
Së dyti, është pëlqyer shumë dhe ka ngjallur shumë interes, heqja e çdo takse për 5 vitet e para për çdo emigrant që vjen të investojë kursimet e tij në Shqipëri.
Me interes të veçantë është pritur programi ynë për bujqësinë. Jo vetëm që do subvencionohet për çdo fidan dhe krerë bagëti, por do garantohen kredi të buta dhe grante për hapjen e fermave nga emigrantët që duan të vijnë në Shqipëri dhe të zbatojnë ato praktika që kanë zbatuar në vendet ku janë”, tha ai.
Berisha ka ndarë edhe emocionet dhe mirënjohjen e tij për suksesin e takimeve të fundit me diasporën.
Po ashtu, ai përmendi historitë e suksesit të emigrantëve, të cilët kanë kontribuar në fushat e muzikës, artit, sporteve dhe studimeve, duke e bërë diasporën një pasuri të vërtetë kombëtare.
“Një ndërveprim i shkëlqyer në këto takime.
Ju nuk mund të imagjinoni. Unë e kuptoj që ju i keni ndjekur në TV, por problemi është se televizori e ka ekranin akull, por sallat ishin zjarr në këto takime.
Dhe ajo frymë, ajo po vjen me shpejtësi në Shqipëri.
Është shumë, shumë interesante.
Salla në Athinë buçiste nga të gjitha anët: O Edvin, o i tillë, o i atillë, diaspora nuk të do…
I dëgjuat besoj.
Pra, faktikisht diaspora i ka vu kufirin tek thana.
Ndaj dhe e quajta udhëtim në fitore.
Mahnitës!
Kam mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë organizatorët e atij takimi aq madhështor dhe aq entuziast në Parma, sa që nuk e ekzagjeroj po të them, por miqtë e mi më thanë se Italia nuk e ka parë ndonjëherë. Italia ka parë shumë, unë nuk kam regjistrin e mitingjeve të tyre, po ai qe nga mitingjet më entuziaste.
Kam mirënjohjen më të pakufishme ndaj degës së PD, PBDNJ dhe të gjithë atyre që u morën me organizimin e atij takimi të paparë në Athinë. Ajo sallë e madhe e stërmbushur nuk kishte njohur kurrë një entuziazëm të atillë. Kurrë!
Ishte emocionuese shumë kur mendoje që Athina, qyteti i lavdisë së përjetshme, është sot qyteti që ka mikpritur më shumë shqiptarë se çdo qytet tjetër jashtë Shqipërie. Dëshmi e një hapjeje, e një mikpritje, e një vlerësimi.
Salla ishte emërtuar Melina Merkuri, një artiste e madhe greke me origjine arvanitase, shqiptare, të cilën ajo nuk e kishte mohuar kurrë, përkundrazi një zonjë fisnike që në vitet ’90 krijoi një fond për të ndihmuar emigrantët shqiptarë.
Por unë e thashë aty, se midis atyre emigrantëve, njerëz guximtarë që u nisën drejt Greqisë për të shpëtuar nga dhimbjet e tmerrshme të pasojave të diktaturës, sot ka këngëtarë të mëdhenj, ka artistë, ka sportistë, ka studiues, pra faktikisht kjo gjeneratë emigrantësh po nxjerr Melina Mërkurët, Irenë Papasët e tjera shqiptarë.
Shqiptarët, histori suksesi. Histori e vërtetë suksesi.
Ndaj dhe mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre që morën pjesë dhe një përshëndetje të përzemërt, vëllazërore, të gjithë emigrantëve tanë në Itali, në Greqi dhe kudo që janë”, tha kryedemokrati.
Berisha kërkon një marrëveshje më të mirë, në interes të Shqipërisë dhe të marrëdhënieve me Greqinë.
Berisha ka theksuar se dy nga çështjet më të rëndësishme për Shqipërinë në lidhje me Greqinë, ishin traktati i miqësisë dhe marrëveshja e detit, e cila, sipas tij, ishte një mundësi historike për vendin.
Ai nënvizon se marrëveshja e detit, që u nënshkrua në një kohë kur Greqia kishte të deklaruara vetëm 6 milje ujëra territoriale, ishte shumë më e favorshme për Shqipërinë se sa çdo marrëveshje tjetër që mund të arrihet tani.
Berisha akuzon qeverinë e Edi Ramës për dështimin në negociatat me Greqinë.
Sali Berisha: Një është traktati i miqësisë sepse nuk u ripërtëri dhe e dyta ishte marrëveshja e detit. Ishte marrëveshja më e mirë që Shqipëria mund të marrë ndonjëherë në të gjithë kohërat. Marrëveshja u firmos në kushtet kur Greqia kishte të deklaruara 6 milja ujëra territoriale.
Natyrisht Greqia në ligjin ndërkombëtar kishte të drejtë të kalonte 12 milje, por pranoi që marrëveshja të firmosej në një kohë kur njihte 6 milje.
Nuk po na falte, por pranoi një regjim që e kishte, nuk ia vumë ne.
Ky ishte në avantazh real që nuk e arrijmë dot më.
Kur GJK rrëzoi në mënyrë absolute nga ndërhyrje anti-shqiptare e Ramës dhe të tjerëve, ramë dakord me palën greke të çojmë në Hagë, meqë prevalon mbi vendimin e gjykatës shqiptare.
Rama i tha Tsiprasit: Jo duhet të bëjmë një marrëveshje më të mirë. Bënë 2 vite negociata dhe kur shkuan në Korçë ta firmosin, nuk firmosën duke u justifikuar me vendimin e GJK. Me të drejtë pala greke u neverit dhe tha vendimin e keni pasur aty pse negociuat 2 vite.
Kam të drejtë morale dhe ligjore që të ulem në tryezë me palën greke dhe të bëjmë më të mirën për dy vendet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



