Listat e Hapura, Listat e Mbyllura dhe DEMOKRACIA e MBYTUR!

Naim Noka

Zgjedhjet e 11 majit po afrohen dhe me to po përsëritet e njëjta farsë politike që shqiptarët e kanë parë pa fund herë. Spektakli është i njëjtë një përplasje e simuluar mes dy partive kryesore, ndërsa pas kuintave, ata që vendosin janë po të njëjtët: dy kryetarë fuqiplotë që sundojnë PS dhe PD si prona private. Çdo pretendim për “lista të hapura” apo “ndryshim politik” është një tallje e hapur me qytetarët.

Të ashtuquajturat lista të hapura të Partisë Socialiste nuk janë gjë tjetër veçse një mekanizëm për të ricikluar figurat që Edi Rama nuk i ka më për zemër, por që nuk ka guxim t’i nxjerrë krejtësisht jashtë loje. Në vend që të vendoste hapur se kë e dëshiron dhe kë jo, ai ua ka lënë fatin e tyre një gare ku dihet paraprakisht kush ka shanse dhe kush do të përdoret si mbushje e kotë e listës. Emra si Erion Braçe, apo zëvëndësimi i ish-kryeministrit Pandeli Majko  me një Ilda Gjuzi janë futur në këtë vorbull, për të treguar se Rama është ende i gjithëpushtetshëm dhe se vetëm ai vendos fatin politik të gjithsecilit.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk ka as listë të hapur dhe as të mbyllur – ajo ka vetëm kaos dhe servilizëm. Teksa PS riciklon njerëzit e vet sipas tekave të liderit, dhe motit të dosjeve në SPAK, opozita është një teatër absurd ku një grup personash presin miratimin e një individi për të hyrë në Parlament. Ky individ  ndan vende të sigurta sikur të ishte mbret i një province feudale.

Në këtë sistem, lista të hapura apo të mbyllura janë vetëm një mashtrim. Demokracia shqiptare nuk vuan nga mënyra sesi përzgjidhen deputetët, por nga fakti që ata janë kukulla në duart e dy autokratëve partiakë. Nuk ka rëndësi nëse emrat renditen lart apo poshtë, sepse një deputet i PS apo i PD nuk i shërben zgjedhësve, por atij që i ka siguruar vendin. Nëse Rama ose Berisha (apo ndonjë tjetër që do të marrë frenat) nuk janë të kënaqur me ta, ata nuk do të kenë më një karrierë politike.

Kështu që, pavarësisht se si do të mbushen këto lista, rezultati është i ditur: Parlamenti i ardhshëm do të jetë një sallë ku do të ulen po të njëjtët shërbëtorë të vjetër dhe disa fytyra të reja që do të përkulen edhe më fort për të treguar bindje ndaj shefit të radhës. Kështu ka ndodhur prej vitesh dhe kështu do të ndodhë për sa kohë shqiptarët lejojnë që një regjim partiak i kontrolluar nga dy shefa të mbajë peng të ardhmen e tyre.

Në fund të fundit, ky stan këtë bylmet ka. Dhe ky bylmet është gjithnjë i prishur.Të tjerat janë dokrra dhe lloqe Shqipërie.

Publikuar nga Publik Media