6 Milion Dollarë: Shumë për ne, pak për politikën

Albert Mero

Nëse sot hap lajmet apo sheh titujt kryesorë, shuma prej 6 milionë dollarësh tërheq vëmendjen menjëherë.

Dhe me të drejtë. Për 95% të shqiptarëve, kjo shumë është thjesht një ëndërr: nuk i kanë, nuk i kanë parë, nuk do t’i shohin kurrë në një jetë të tërë.

Është shumë e madhe për qytetarin e zakonshëm.

Por të jemi të drejtë dhe korrektë: në botën e politikës, 6 milionë dollarë, për një subjekt politik — qoftë në opozitë apo në pushtet — nuk janë asgjë.

Në një vend ku 600 mijë lekë rrogë janë ëndërr dhe 60 mijë lekë faturë dritash janë makth, normal që 6 milionë duken si një ofendim.

Por të vëmë dorën në zemër: në politikë, kjo shifër është një kripë në det.

Në fund të fundit, vetëm disa eksponentë periferikë të botës së krimit u kanë dalë SPAK-ut me 45 milionë dollarë të sekuestruara, pa folur për majat e vërteta të kësaj piramide!

Sigurisht, askush nuk do të shohë popullin shqiptar të shpenzojë asnjë cent për lodrat politike.

Por në Amerikë, lobimi është ligj, është rregull, është institucion dhe biznes.

S’ka fushatë pa lobim, s’ka politikë pa pagesa.

Nëse është nënshkruar një kontratë 6 milionë dollarë, mos u shqetësoni: ajo ka kaluar filtrin e rreptë të Departamentit të Shtetit.

Atje nuk të japin as një kafe pa të parë kush je dhe çfarë sjell.

Dhe më e rëndësishmja:

Këto nuk janë lekët tona.

Nuk janë taksat e shqiptarëve.

Nuk janë pensionet e prindërve tanë.

Nuk janë as fondet për shkollat, spitalet, rrugët që prishen para se të ndërtohen.

Është plotësisht e kuptueshme dëshira që Shqipëria dhe shqiptarët të mos shpenzojnë asnjë cent në emër të politikës së tyre, sidomos si një popull që tradicionalisht ka një ndjeshmëri të fortë pro-amerikane.

Por lobimi në Shtetet e Bashkuara nuk është as “aksident”, as “teke” — është pjesë formale e funksionimit të demokracisë së tyre. Është institucion dhe njëkohësisht biznes.

Çdo akt lobimi kalon përmes një procesi legal, i monitoruar nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga struktura ligjore shumë të rrepta.

Kontrata e shumëpërfolur prej 6 milionë dollarësh, është e ndarë në faza, dhe me shumë gjasë ka kaluar të gjitha filtrat institucionale amerikane.

Nëse këto para do të ishin të dalë nga buxheti i shtetit, nga taksat tona, do të kishte vend për alarm kombëtar.

Por për aq kohë sa nuk janë para publike, për aq kohë sa janë mjete të vetë Partisë Demokratike dhe jo taksat tona — kjo mbetet një faturë që duhet ta mbajë mbi shpatulla vetë subjekti politik që e ka bërë zgjedhjen.

Në fund të ditës, shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë fatura që nuk i kanë firmosur vetë.

Nëse kjo kontratë do t’u vlejë ose jo, është çështje tjetër.

Llogaritë politike lihen për zgjedhjet; ndërsa për lekët tona, ka vetëm një parim: zero tolerancë për abuzimin.

Publikuar nga Publik Media