Si dështoi strategjia ruse në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë!

Zgjedhjet presidenciale rumune të së dielës, përbëjnë një fitore historike jo vetëm për qeverisjen demokratike, por edhe për aleancën më të gjerë perëndimore në luftën e saj të vazhdueshme kundër ndikimit rus.

Ndërsa Kremlini po i rikalibron taktikat e tij, Rumania u konfirmua si një fortesë e qëndrueshme në krahun lindor të NATO-s, dhe si një model për vendet e tjera që përballen me kërcënime të ngjashme ndaj sovranitetit dhe demokracisë së tyre.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të ndikuar mbi rezultatin zgjedhor përmes keqinformimit, mbështetjes për kandidatët periferikë dhe operacioneve kibernetike, zgjedhjet sollën një fitore vendimtare për një kandidat pro-evropian dhe atlantist. Ky rezultat përfaqëson një pengesë strategjike për Kremlinin dhe do të ketë pasoja të rëndësishme pozitive për NATO-n, BE-në dhe rajonin e Detit të Zi.

Rëndësia strategjike e Rumanisë

Rumania zë një pozicion të rëndësishëm gjeopolitik si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Ajo kufizohet me Ukrainën dhe Detin e Zi, dhe ka një infrastrukturë të rëndësishme ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s (sidomos sistemin e mbrojtjes nga raketat Aegis Ashore në Deveselu), dhe shërben si një nyje kyçe në rrjetet transatlantike të energjisë dhe inteligjencës. Ndaj orientimi i saj politik, ka pasoja të rëndësishme për ekuilibrin rajonal të pushtetit, duke e bërë atë një objektiv të vazhdueshëm për operacionet e ndikimit rus të paktën që nga viti 2014.

Fushata ruse e ndikimit rus: Synimet dhe taktikat

Tre kanë qenë objektivat kryesore të Moskës. Së pari, të dëmtojë besimin e publikut tek institucionet demokratike. Së dyti, të promovojë kandidatë që janë simpatizantë të “autonomisë strategjike”, apo që janë hapur kritikë të aleancave perëndimore. Dhe së treti të nxisë polarizimin e brendshëm dhe zbehë mbështetjen për politikat e NATO-s dhe BE-së.

Mjetet dhe metodat

Keqinformimi: Përforcimi i narrativave anti-BE dhe anti-amerikane nëpërmjet mediave sociale, platformave pro-Kremlinit në gjuhën rumune dhe fushatave të koordinuara në rrjet. Ndërhyrjet kibernetike: Përpjekje për ndërhyrje në sistemet zgjedhore dhe shënjestërim i infrastrukturës së fushatës.

Mbështetja për aktorët periferikë: Mbështetje financiare, mediatike dhe logjistike e figurave dhe partive nacionaliste-populiste me prirje pro-ruse.

Kornizimi i narrativës: Përdorimi i mediave si Russia Today, Sputnik, si dhe i rrjeteve të lidhura me to, për ta paraqitur Perëndimin si shfrytëzues dhe Rumaninë si një shtet të nënshtruar.

Si dështoi strategjia ruse?

Rezultatet zgjedhore. Kandidati fitues, me një platformë të qartë dhe të vendosur pro-perëndimore, siguroi mbështetje të gjerë në popullatat urbane dhe të diasporës. Humbja e kandidatëve të lidhur me Kremlinin ishte gjithëpërfshirëse, duke reflektuar një refuzim në shumicë të shoqërisë ndaj ndikimit rus.

Përgatitja Institucionale. Shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë kibernetike në Rumani, luajtën në bashkëpunim me partnerët e NATO-s dhe BE-së, një rol vendimtar në luftën kundër keqinformimit dhe neutralizimin e ndërhyrjeve kibernetike. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura, luajtën një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe ekspozimin e përpjekjeve të manipulimit.

Ndërgjegjësimi publik dhe njohuritë mediatike. Fushatat mediatike të profilit të lartë dhe përpjekjet edukative, e rritën ndërgjegjësimin publik për taktikat e ndërhyrjes së huaj, duke e nxitur elektoratin të tregohet më i zgjuar, duke minimizuar ndikimin e manipulimit online.

Pasojat strategjike më të gjera

Për Kremlinin, rezultati i zgjedhjeve në Rumani pasqyron zvogëlimin e rezultateve të luftës hibride të Rusisë në demokracitë e thella. Dështimi i të dielës, mund ta nxisë Kremlinin të ndryshojë strategjinë e tij, nga manipulimi i hapur në ndërtimin më delikat të ndikimit ekonomik dhe kulturor.

Për NATO-n dhe BE-në, mbrojtja e suksesshme e proceseve demokratike, vërteton rëndësinë që ka bashkëpunimi shumëpalësh në sigurinë kibernetike, luftën kundër keqinformimit dhe qëndrueshmërinë demokratike të një vendi aleat.

Pas këtyre zgjedhjeve Rumania del si një shtet në vijën e parë në garën ideologjike midis autoritarizmit dhe demokracisë liberale. Shembulli rumun, u dërgon një sinjal të fuqishëm vendeve fqinje si Moldavia, Bullgaria dhe Serbia, duke përforcuar qëndrueshmërinë e një të ardhmeje euroatlantike.

Po ashtu, i inkurajon aktorët pro-demokracisë dhe shoqërinë civile në të gjithë Evropën Lindore. Për Shtetet e Bashkuara, rezultati i zgjedhjeve në Rumani përfaqëson një pohim strategjik të qëllimeve të politikës së saj të jashtme në Evropën Lindore.

Tani Uashingtoni mund të thellojë bashkëpunimin në mbrojtje, ndarjen e inteligjencës dhe projektet e infrastrukturës energjetike pa frikën e përmbysjes politike. Por rezultati i zgjedhjeve të së dielës nuk është vetëm një refuzim i ndërhyrjeve të jashtme, por edhe një rikonfigurim i dinamikës së brendshme politike të Rumanisë.

Humbja e kandidatëve nacionalistë-populistë që flirtuan me retorikën pro-ruse, ka të ngjarë të dobësojë ndikimin e tyre. Fitorja e një pro-perëndimori, përforcon një konsensus të gjerë kombëtar rreth integrimit euroatlantik.

Ndërkohë, roli i spikatur i luajtur nga grupet qytetare dhe media e pavarur në luftën kundër keqinformimit, e ka rritur besueshmërinë e tyre. Pritet një mbështetje dhe ndikim në rritje institucional në fushat e hartimit të politikave, si rregullimi i medias, transparenca dhe arsimi. “Robert Lansing Institute”

Publikuar nga Publik Media