Emigracioni i të rinjve dyfishohet, vendi drejt një krize të pakthyeshme demografike dhe ekonomike
Shqipëria po kalon një nga fazat më të errëta të saj në aspektin demografik dhe ekonomik. Të rinjtë po largohen më shpejt se kurrë, ndërsa popullsia e re përgjysmohet. Të dhënat janë alarmante: në vitin 2011, grupmosha 0-29 vjeç përbëhej nga 1.365.000 persona. Në vitin 2024, ky numër kishte rënë në vetëm 764 mijë, një rënie dramatike prej 44%.
Emigracioni neto nga viti 2020 deri në 2025 ka kaluar mesataren e 34.500 personave në vit, më shumë se dyfishi krahasuar me periudhën 2015–2020. Dhe mbi 80% e tyre janë të rinj. Shqipëria po zbrazet nga forca e saj më vitale, ndërkohë që asnjë politikë nuk po arrin të ndalojë këtë hemorragji.
Në vitin 2023, sipas Eurostat, vendet e BE-së dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shqiptarët – një valë e re eksodi e motivuar nga mungesa e perspektivës, pasiguria dhe dëshpërimi. Në vetëm dy vite (2022–2023), janë dhënë 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë, ku pjesa dërrmuese janë kontrata pune, sidomos në Gjermani.
Ky cikël po ushqen një tjetër krizë: rënien e fuqisë punëtore. Sot, më shumë se 53% e të punësuarve në bujqësi janë mbi 50 vjeç. Të rinjtë nuk e trashëgojnë më tokën, nuk merren me blegtori dhe nuk kanë më lidhje me fshatin. Fermat familjare janë në faliment, ndërsa tregjet lokale janë zhdukur nga hartat e bashkive.
Nga ana tjetër, kjo situatë po çon drejt një rritjeje drastike të çmimeve. Në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.4% të mesatares së BE-së, ndërkohë që PBB për frymë është vetëm 35% e mesatares europiane. Konsumatori shqiptar paguan çmime evropiane për mallra bazë, por me paga afrikane.
Nga 2015 deri më 2025, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 67%, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 10-të për rritje çmimesh në Europë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së prodhimit vendas, rritjes së varësisë nga importet dhe mungesës së subvencioneve për bujqësinë.
Bujqësia, një nga shtyllat tradicionale të ekonomisë, po shembet. Në vitin 2024, prodhimi bujqësor ra me 1.1%, ndërsa në vitin 2023 kishte rënë me 1.8%. Zhvillimet negative janë më të dukshme në blegtori, ku numri i kafshëve është përgjysmuar në një dekadë. Fermerët e dikurshëm janë kthyer në konsumatorë të varur nga importet.
Ekspertët si Ilir Gëdeshi paralajmërojnë për një krizë strukturore afatgjatë, që do të prekë punësimin, pensionet dhe stabilitetin ekonomik. Sipas tij, pa një politikë emergjente që frenon ikjet dhe rikthen të larguarit, Shqipëria do të hyjë në një spirale të pakthyeshme rënimi.
Sot, nuk ikin vetëm të papunët ikin më të mirët: studentët ekselentë, mjekët, IT-istët, zanatçinjtë e kualifikuar. Ky është një ekzod i trurit dhe fuqisë punëtore që po i heq vendit çdo mundësi për ringritje.
Shqipëria po boshatiset. Dhe me të, po ikën edhe shpresa.