Shteti i plakur dhe Sulltani me mandat të katërt

 Publik.al

Sot  mediat kishin thuajse shabllon lajmin:  Shqipëria po boshatiset! Në fakt ne tashmë jemi zyrtarisht   një vend ku ka më shumë pensionistë sesa të rinj, logjika politike do të diktonte alarm kombëtar, reforma të thella, strategji mbijetese për një popull që po tretet para syve të një qeverie që kremton vetëm pushtetin e vet. Por në Shqipëri, realiteti është përmbysur: ndërsa popullsia e re po zvogëlohet në mënyrë dramatike, dhe Shqipëria po kthehet në një shtet të plakur, Edi Rama sapo ka marrë mandatin e tij të katërt radhazi dhe me të, një fuqi që ngjan më shumë me pushtetin e një sulltani sesa të një kryeministri europian.

Të dhënat flasin qartë: sot në Shqipëri ka rreth 800 mijë pensionistë, ndërkohë që të rinjtë nën moshën 29 vjeç janë më pak se kaq një disproporcion tragjik që tregon drejtimin fatal të vendit. Rinia po largohet masivisht. Shqipëria po zbrazet. Shkollat mbyllen. Fshatrat vdesin. Krahët e punës ikin për të mos u kthyer më. Dhe qeveria? Merret me mobilimin e zyrave për 465 milionë lekë dhe me garat e trukuara të tenderëve, siç ndodh rëndom nën hijen e një sistemi të kapur nga lart deri poshtë.

Edi Rama sot nuk është më vetëm lnjë kryeministër  është bërë de facto kryetar bashkie i Tiranës, ministër i çdo ministrie, drejtues i çdo bordi, dhe redaktor i çdo medie që nuk guxon më të pyesë. Arrestimi i Erion Veliajt nuk e ndali aspak ritmin e kontrollit; përkundrazi, Rama e mbushi menjëherë boshllëkun me veten. Ai shpërndan detyra, formon grupe pune, urdhëron deputetët të “zbresin në terren” për të dëgjuar hallet e qytetarëve – sikur s’ka qenë 11 vjet në pushtet. Sot, ai është Sulltan Pasha, që i jep vetes të drejtën të sundojë çdo hallkë të administratës, si në një satrapi orientale.

Por ndërkohë që sulltani luan me fronet, populli plaket.

Sistemi i pensioneve është në kolaps, ekonomia vuan nga mungesa e fuqisë punëtore, dhe borxhi publik zmadhohet nga tenderët dhe koncesionet që kanë marrë formën e një grabitjeje moderne me firmë shtetërore. Rinia shqiptare, ajo që duhet të ndërtojë të ardhmen, është kthyer në një mall eksporti. Kush ka mundësi, ikën. Kush nuk ka, pret radhën.

Ky nuk është më thjesht një problem social. Kjo është një katastrofë demografike dhe kombëtare. Një shtet pa të rinj është një komb pa të ardhme. Dhe kur kjo ndodh ndërsa një lider përjetësohet në pushtet, kemi përballë një krizë që nuk është thjesht e qeverisjes – por e vetë ekzistencës sonë si shoqëri.

Në këtë vend, ku rreth 200 mijë të rinj janë zhdukur në vetëm një dekadë dhe mbi 44% e popullsisë 0-29 vjeç ka ikur, heshtja është më kriminale se çdo vjedhje. Dhe ajo heshtje sot është e blerë: me reklama, me subvencione, me tenderë. Mediat janë bërë oborrtarët e sulltanit, që i thurin lavde ndërtimit të kullave, ndërkohë që gërmadha e vendit mbulohet me propagandë rozë.

Nëse nuk ndodh një ndryshim i madh një ndërgjegjësim i menjëhershëm, një reagim qytetar i guximshëm Shqipëria do të mbetet një tokë bosh, me monumente betoni dhe me një portret të madh të sulltanit në çdo zyrë.

Por pa fëmijë, pa të rinj, pa jetë.

Ky është fundi që na pret, nëse e pranojmë si normalitet një regjim që e ka zëvendësuar demokracinë me pushtet absolut dhe popullin me propaganda.

Publikuar nga Publik Media