PD nuk ka bërë gjithçka mirë, në disa zona e morën lehtshëm fare

Salianji kritik për 11 majin

Pas gati dhjetë muajsh në qeli, ish-deputeti Ervin Salianji u rikthye sot në media.

I pyetur për situatën politike në “Opinion”, Salianji tha se Partia Demokratike nuk ka bërë gjithçka mirë. Sipas tij, “mund të humbësh, por duhet të luftosh”.

Po, Partia Demokratike nuk ka bërë gjithçka mirë. Ka pasur vende të caktuara ku është marrë lehtshëm. Pra mendohej që do vijë rotacioni vetëm. Mund të humbësh, por duhet të luftosh. E kam thënë edhe një herë. Në betejë shkon, lufton, të vinte kështu siç ishte organizuar gjithë shteti përballë një partie. Ta vështirëson për të mos thënë ta pamundëson. Por më mirë të biesh në betejë se sa të biesh në gjumë. Je më i nderuar”, tha Salianji.

I pyetur se çfarë pozicioni do të kërkojnë në Partinë Demokratike, Salianji u përgjigj se “asnjë”. Ai tha se do të vazhdojë të bëjë aktivitet publik dhe politik.

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për eksperiencën në burgun e Fierit, ku qëndroi rreth 10 muaj.

Salianji e përshkroi burgun si “një vijë që e ndan nga vdekja”.

Privimi i lirisë, një vijë e ndan burgun nga vdekja. Je i izoluar, ke një afat shyqyr Zotit, por në kuptimin e jetës, është një periudhë ngrirje. Është një periudhë e fikur në jetën e njeriut, përpiqesh të gjesh mënyra.

Të gjithë që po themi, që dalim në publik dhe kemi kujdes për interesin publik, i shohim edhe qeniet njerëzore si mekanizma, por të gjithë janë njerëz. Qëllimi është rehabilitimi. Se çfarë duhet të rehabilitohesha unë dhe të më hiqej mandati dhe të largohesha nga zgjedhjet, kjo e bën më të rëndë. Funksionet vijnë dhe ikin, nuk lind njeri deputet. Padrejtësia e një vendimarrje, ta bën më të vështirë vuajtjen e dënimit, koha nuk është e njëjta aty. Nuk ke mundësi të lëvizësh. Kë një televizor të vogël 32’ që e kanë të gjithë të burgosurit. Janë këto elementët pastaj që në jetën e përditshme nuk i mendon por i merr të mirëqëna“, tha ndër të tjera Salianji.

I pyetur nëse në burg kishte personazhe “vip”, Salianji tha se kishte persona që përmenden në studio televizive.

Këta qe permendni ju, po plot kishte. Burgu ka më shumë se 800 vetë. Nuk jam nga këta që po takove… Edhe ata çuna që janë nën hetim, se nuk janë dënuar, janë aty, që është bërë si e famshme kjo 5D. Edhe persona të tjerë që kam denoncuar në publik kanë qenë aty. Në burg nuk shkon për t’u marrë çfarë ka bërë njëri dhe tjetri“, tha Salianji.

Salianji u lirua nga qelia më 8 korrik, pas gati 10 muajsh burg. Vendimi u mor nga Gjykata e Fierit, ku u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për liri me kusht. Salianji kishte kryer deri më tani 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur edhe 3 muaj të tjerë për të kryer dënimin e plotë.

Publikuar nga Publik Media