Rama u shpall luftë gomisterive dhe lavazheve
Gomisteri nuk mund të jetë në mes të rrugës!
Autoritetet zbarkojnë në terren për të ndalur abuzimet me hapësirat publike dhe ujin e pijshëm
Me një ton të prerë dhe një mesazh të fortë publik, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga një aksion i autoriteteve në një gomisteri në Tiranë, duke paralajmëruar se bizneset që pushtojnë rrugën dhe cenojnë jetën e komunitetit nuk do të tolerohen më.
“Nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës, kufiri i biznesit mbaron aty ku fillon kufiri i jetës së komunitetit” – shkruan Rama në Facebook, duke shpërndarë foton nga operacioni policor që ndaloi një aktivitet të tillë në shkelje të hapësirave publike.
Në pamjet e publikuara, shihen oficerë të Policisë së Shtetit duke ndërhyrë në ambientet e një gomisterie që kishte dalë përtej vijave të lejuara të shfrytëzimit. Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të një fushate më të gjerë për çlirimin e hapësirave publike dhe kthimin e qytetit te qytetarët, sipas burimeve zyrtare.
Krahas kësaj, paralajmërohen masa edhe për ata që abuzojnë me ujin e pijshëm, sidomos për qëllime larjeje makinash apo shërbimesh të tjera jashtë standardit. “Do të merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm me zorrë për larje turlilloj” – shkruan Rama, duke e shoqëruar mesazhin me një gjest simbolik.
Ky është vetëm fillimi i një operacioni që pritet të zgjerohet në gjithë vendin, ku shkelësit e ligjit dhe ata që keqpërdorin pasuritë e përbashkëta do të përballen me pasoja konkrete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



