Shkodër, dy persona me motor ekzekutojnë 34-vjeçarin!
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Shkodrës. Rreth orës 22:30, në lagjen “Vasil Shanto”, u ekzekutua me armë zjarri Kristian Kola, 34 vjeç.
Sipas dëshmitarëve dhe burimeve policore, viktima u qëllua në ambientet e jashtme të një lokali nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me një motor të zi. Pas atentatit, ata arritën të largohen me shpejtësi duke humbur gjurmët.
Reagimi i Policisë
Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje, rrethuan zonën dhe ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit, në përpjekje për të kapur autorët.
“Rreth orës 22:30, në lagjen ‘Vasil Shanto’, në rrethana ende të paqarta, dy shtetas ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Kristian Kola, 34 vjeç, i cili ishte në ambientet e jashtme të një lokali. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Hetimet dhe pistat
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e motivit të krimit, ndërsa nuk përjashtohet asnjë pistë, përfshirë atë të larjes së hesapeve mes grupeve kriminale rivale.
Ngjarja e sotme rëndon edhe më tej bilancin e sigurisë në Shkodër, një qytet që prej vitesh përballet me atentate të dhunshme dhe konflikte të pazgjidhura kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



