Prishja e një stalle delesh bëhet shkak për hetim penal
Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, merret i pandehur nga SPAK
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas kallzimit të një qytetari dhe avokatit Esmerald Xhafa,në lidhje me një rast që lidhet me prishjen e një stalle bagëtish në territorin e bashkisë.
Sipas burimeve, ngjarja nisi pasi një qytetar pretendoi se stalla e tij ishte shembur pa asnjë dokument zyrtar ose vendim ligjor. Pamjet filmike tregojnë ndërhyrjen e qindra forcave të policisë dhe punonjësve të administratës bashkiake në prishjen e objektit, ndërkohë që qytetari kërkonte dokumentacionin që, sipas tij, mungonte plotësisht në terren.
Pasi ka angazhuar një avokat për ndjekjen e çështjes, qytetari ka bërë kallëzim penal pranë SPAK. Avokati Esmerald Xhafa ka depozituar kallëzimin që përfshin jo vetëm këtë ngjarje, por edhe disa tendera të dyshimtë të zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, të cilët dyshohet se janë shoqëruar me shkelje ligjore dhe favorizime.
Megjithëse SPAK ka ngritur akuza për falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera ndaj Kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, dhe gjashtë punonjësve të tjerë të bashkisë, vlerësimi i deritanishëm ngre pikëpyetje serioze mbi përfshirjen reale të veprave penale.
Sipas analizës sime, ka indicie të forta që veprimet e këtij grupi përmbajnë të gjitha elementet për të u kualifikuar si grup i strukturuar kriminal. Fakti që janë shtatë të pandehur plotëson një nga kriteret themelore të ekzistencës së një grupi të tillë, ndërsa mënyra sesi janë ndarë rolet, bashkëpunimi i qëllimshëm mes tyre dhe hierarkia e dukshme në ekzekutimin e veprës penale, që nga urdhërimi politik, zbatimi administrativ dhe mbulimi dokumentar,përbëjnë një strukturë të qartë të organizuar dhe me synim të përbashkët kriminal.
Për rrjedhojë, kufizimi i akuzës vetëm në dy vepra penale duket një nënvlerësim serioz i kompleksitetit dhe rrezikshmërisë që paraqet kjo skemë e mirëorganizuar, ku funksionarët publikë kanë vepruar në mënyrë të koordinuar, me role të ndara dhe hierarki të qartë.
Kjo qasje nga ana e organit të akuzës ngre dyshime të arsyeshme për një favorizim të pastër ndaj individëve që, në vend që të mbrojnë interesin publik, kanë abuzuar me detyrën dhe kanë dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit. Kur funksionarë të tillë nuk përballen me pasojat reale të veprimeve të tyre, i jepet një sinjal i gabuar shoqërisë dhe forcohet pandëshkueshmëria në administratën publike./ Arben Llangozi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


