Bledar Selmanaj tentoi arratisjen, reagon Drejtoria e Burgjeve
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht pas tentativës për arratisje të Bledar Selmanajt, i paraburgosur në IEVP Fier, ngjarje që ndodhi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit.
Sipas njoftimit zyrtar, Selmanaj ka mundur të dalë nga qelia nëpërmjet një vrime të hapur në mur, të cilën e kishte krijuar me mjete rrethanore, duke kaluar më pas nëpërmjet një tubi metalik për t’u ngjitur në tarracë. Ai është fshehur pa kaluar asnjë nga perimetritë e sigurisë.
“Forcat e sigurisë janë vënë menjëherë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit u bë lokalizimi dhe ndalimi i tij,” – thuhet në deklaratën zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve.
Më tej theksohet se gjatë ndalimit, Selmanaj ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai ndodhet në dhomat e veçimit, në pritje të përfundimit të hetimeve administrative dhe penale lidhur me këtë ngjarje.
Deklarata e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset.
Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron dhe garanton një nivel të lartë sigurie dhe mbarëvajtje të qetë në sistemin e burgjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



