E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Drejtoria e Burgjeve zbardh detajet: I dënuari goditi policin me ekspres kafeje
Lajme

Drejtoria e Burgjeve zbardh detajet: I dënuari goditi policin me ekspres kafeje

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje të reja lidhur me incidentin e dhunshëm të regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ku një i dënuar sulmoi një punonjës të Policisë së Burgjeve.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për të dënuarin Dritan Imeri, i cili ka goditur në befasi me një ekspres kafeje inspektorin Agron Bebja, duke i shkaktuar dëmtime në zonën e kokës.

Ngjarja ndodhi në momentin kur punonjësi i sigurisë po hapte derën e dhomës ku qëndronte i dënuari. Menjëherë pas sulmit, strukturat e burgut ndërhynë për të neutralizuar situatën dhe për të rikthyer kontrollin në institucion.

Inspektorit Bebja iu dha ndihma e parë në ambientet e burgut, ndërsa më pas u transportua në Spitalin e Matit për ekzaminime mjekësore. Sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.

Pas marrjes së informacionit, drejtues të lartë të Policisë së Burgjeve mbërritën në institucion për të ndjekur situatën dhe për të vlerësuar masat e marra. Ata vizituan gjithashtu punonjësin e dëmtuar në banesën e tij, pas daljes nga spitali.

Drejtoria e Burgjeve bëri të ditur se për incidentin është hartuar raporti përkatës dhe janë njoftuar autoritetet kompetente, si dhe AMSEVP, për vijimin e procedurave ligjore.

Në reagimin e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënoi aktin e dhunës dhe deklaroi se do të mbulojë shpenzimet mjekësore të punonjësit deri në rikuperimin e plotë të gjendjes shëndetësore.

Njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, në IEVP Burrel, gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e sigurisë, është regjistruar një incident me pasoja për shëndetin e një punonjësi të Policisë së Burgjeve.

Në momentin e hapjes së derës së dhomës së banimit, i dënuari Dritan Imeri ka ndërmarrë një veprim të dhunshëm ndaj punonjësit të grupit të sigurisë, inspektor Agron Bebja, duke e goditur në befasi me një ekspres kafeje dhe duke i shkaktuar dëmtime në zonën e kokës.

Menjëherë pas incidentit, strukturat e sigurisë kanë ndërhyrë për neutralizimin e situatës, duke bërë të mundur ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe rikthimin e kontrollit në institucion. Inspektorit iu dha ndihma e parë në ambientet e IEVP Burrel dhe më pas u shoqërua për vizitë mjekësore në Spitalin e Matit. Sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.

Pas marrjes së informacionit për incidentin, drejtues të lartë të Policisë së Burgjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në IEVP Burrel për të ndjekur nga afër situatën dhe për të vlerësuar masat e marra. Në vijim, ata kanë vizituar punonjësin e dëmtuar në banesën e tij, pas daljes nga spitali, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin institucional.

Për rastin është përpiluar raporti përkatës i incidentit, ndërsa janë njoftuar autoritetet kompetente dhe AMSEVP për vijimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e mëtejshëm të ngjarjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me vendosmëri çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët përmbushin detyrën e tyre në garantimin e sigurisë, rendit dhe zbatimit të ligjit në institucionet penitenciare.

Njëkohësisht, Drejtoria shpreh mbështetjen e plotë për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe garanton marrjen e masave për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të punonjësit të dëmtuar, deri në rikuperimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore, duke i uruar atij shërim të shpejtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.