Shqiptarët e dinë, krimi është ulur këmbëkryq në zemër të pushtetit
Gazetari Andi Bushati ka ngritur alarmin për lidhjet e forta midis pushtetit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar se kjo situatë është e dukshme për çdo qytetar të zakonshëm dhe nuk ka nevojë të denoncohet vetëm nga gazetarët e huaj.
“Nuk ka nevojë për një gazetar të huaj për të kuptuar se sa i lidhur është pushteti këtu me krimin. Boll të fërkojë njëherë sytë kur zgjohet në Tiranë dhe të shohë kullat që lartësohen në qendër të Tiranës, për të kuptuar se, krimi është ulur këmbëkryq në zemër të pushtetit”, deklaroi Bushati në një intervistë për “Syri TV”.
Ai theksoi se kullat luksoze në qendër të kryeqytetit, të papërballueshme për qytetarët që jetojnë me të ardhura të ndershme, janë simboli më i qartë i deformimeve të thella në sistemin ekonomik dhe politik.
“Ato monumente që ngrihen në qendër të Tiranës dhe që janë të pableshme nga asnjë shqiptar që jeton me punë të ndershme, tregojnë se këtu ka një anomali. Ka anomali dhe ne e shohim vetë e s’ka nevojë të na e tregojë një gazetar i huaj”, shtoi ai.
Duke folur për rolin e mediave, Bushati kritikoi ashpër mungesën e gazetarisë investigative në Shqipëri, duke e lidhur këtë me kapjen e mediave dhe mungesën e kushteve të duhura për punë të pavarur.
“Kush është puna që mund të bëjnë gazetarët shqiptarë, pse nuk shkojnë në thellë? Disa janë të blerë, të kapur dhe në shërbim, dhe ata e tregojnë veten kur bëjnë sikur ky libër nuk ekziston. Por edhe ata media që nuk janë të kapura, që të bëjë punën e vet, të ngrejë një celulë gazetarësh investigativ, që ata të kenë kohë dhe fonde për t’iu përkushtuar një pune hetimore”, u shpreh Bushati.
Ai shtoi se pa një treg të lirë mediatik, është pothuajse e pamundur të zhvillohet gazetari cilësore dhe e pavarur në Shqipëri.
“Ata duhet të jenë gazetar apo media që jetojnë në një treg të lirë, por nuk jemi në një treg të tillë”, përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



