Ku shkuan 8.5 mln eurot e tenderit për sistemin e gjendjes civile?
Partia Demokratike ka ngritur sot dyshime serioze lidhur me tenderin e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për sistemin e Gjendjes Civile. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka kërkuar llogari për 8.5 milionë euro të tenderuara nga viti 2022 deri në vitin 2025, për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e regjistrit kombëtar të gjendjes civile — sistem që, sipas saj, vijon të ketë probleme serioze, pavarësisht shpenzimeve të mëdha.
“Përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi Kryeministrin Edi Rama”, – u shpreh Vangjeli, duke kujtuar se AKSHI është një institucion që varet drejtpërdrejt nga Kryeministria.
Sipas PD-së, për përmirësimin e sistemit është kontraktuar kompania Soft & Solution shpk, në pronësi të Ermal Beqirit, ndërsa për mirëmbajtjen e tij është angazhuar kompania e huaj Xion IT Systems GmbH, e njëjta që ka qenë e përfshirë në tendera të ngjashëm edhe më parë.
“Edi Rama, gjatë prezantimit të ministres së re të Brendshme, pranoi vetë publikisht se sistemi i gjendjes civile është ende problematik. Po si është e mundur, që pas 8.5 milionë eurosh të tenderuara për përmirësim dhe mirëmbajtje, problemi të jetë i njëjtë? Ku kanë shkuar këto para?”, – pyet Vangjeli në emër të PD-së.
Ajo shtroi publikisht edhe një pyetje drejtuar organeve të drejtësisë:
“A ekziston realisht vullneti për të hetuar këtë aferë që prek një prej sistemeve më delikate të shtetit, apo do të vazhdojmë me të njëjtën heshtje institucionale dhe mosveprim, që karakterizon drejtësinë kur bëhet fjalë për tenderat e qeverisë?”
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut dhe Prokurorisë së Posaçme të nisin hetim të plotë për këtë rast, duke theksuar se nuk mund të ketë përgjegjësi politike pa ndëshkim penal për shpërdorimin e fondeve publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



