Deklarata e bujshme: Ilir Meta do të jetë i lirë brenda muajt
Avokati i ish-Presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka deklaruar me bindje se klienti i tij do të lirohet nga paraburgimi brenda këtij muaji.
Deklarata u bë gjatë një interviste në emisionin “Oponencë” në News24, ku Cakrani la të kuptohet se mbrojtja disponon prova që mund të çojnë në ndryshimin e masës së sigurisë.
I pyetur nga gazetarja Anduena Llabani se kur parashikon lirimin e Metës, avokati u shpreh:
“Brenda muajit do t’ua sjell në studio zotin Meta. E keni në News24 me prova dhe me fakte.”
Megjithatë, avokati nuk dha hollësi konkrete mbi bazën ligjore që mbështet optimizmin e tij. Ai sugjeroi se në ditët në vijim mund të paraqiten materiale të rëndësishme për mbrojtjen, por pa specifikuar nëse është dorëzuar ndonjë kërkesë për zëvendësim të masës së paraburgimit.
Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, ndodhet aktualisht në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), në kuadër të hetimeve për çështje që lidhen me pasuritë dhe akuza për korrupsion. Meta i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “të sajuara dhe të motivuara politikisht”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



