E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
4000 flakonë të zhdukur, si mbetën pa ilaçin jetik qindra pacientë
Flash

4000 flakonë të zhdukur, si mbetën pa ilaçin jetik qindra pacientë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar mungesa të rënda të medikamentit Daratumumab 400 mg, një nga barnat më të rëndësishme për trajtimin e pacientëve me kancer gjaku. Sipas raportit të auditimit, pavarësisht planifikimeve dhe kontratave ekzistuese, pacientët janë lënë pa trajtim për periudha të gjata kohore, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e tyre..

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet se më 13 mars 2025, “gjendja e barit në Inventar në sistemin SISP (Pentaho) paraqitet: zero njësi në Farmacinë Qendrore; dy njësi në Farmacinë e Sektorit Kapa”. Situata e mungesës u konstatuan edhe më 28 mars, duke reflektuar një problem të vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, QSUT kishte planifikuar furnizimin me Daratumumab në sasinë prej 400 flakonësh për periudhën 2024–2026. Në korrik 2024 u lidh një Marrëveshje Kuadër, që përfshinte edhe këtë medikament, me kontrata për 400 njësi. Më 26 mars 2025, Drejtoria e Shërbimit Farmaceutik firmosi një kontratë të re për 4,000 flakonë, me afat zbatimi 24 muaj. Por balkanweb shkruan se sipas raportit, “përfundimi i fazës së auditimit deri më 26 maj 2025 ka evidentuar se bari ka qenë në gjendje zero nga data 22 prill 2025 deri më 20 maj 2025”, duke lënë pacientët në një gjendje kritike.

Auditimi evidenton pasojat për pacientët: në periudhën 1 prill – 26 maj 2025, ishin kërkuar 906 flakonë Daratumumab, por u dhanë vetëm 398, pra afërsisht gjysma e nevojës. Raporti përmend 190 kartela pacientësh, prej të cilave 46 janë përsëritje, që do të thotë se pacientët janë lënë disa herë pa dozën e nevojshme të medikamentit. Për shembull:

Një pacient me kartelë A163650 ka pasur 39 herë mungesë, me diferencë –103.5 njësi.

Një tjetër me kartelë A270271 ka pasur 37 herë mungesë, me diferencë –81 njësi.

Ndërsa pacienti me kartelë A233171 ka pasur 28 herë mungesë, me diferencë –74 njësi.

Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se pavarësisht kontratave të lidhura dhe pagesave të kryera, “gjendja progresive e barit Daratumumab 400 mg deri më 26 maj 2025 është 0 flakonë në DMM dhe 520 flakonë në BF”.

Kjo tregon qartë se bari ishte planifikuar dhe kontraktuar, por nuk ishte i disponueshëm për pacientët në momentin kur ata kishin më shumë nevojë. Ky është një nga shembujt më dramatikë, ku një medikament i shtrenjtë, i planifikuar dhe i paguar, mungon për javë të tëra, duke lënë dhjetëra pacientë me kancer gjaku pa imunoterapinë jetike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.