Ilir Meta po shkruan librin që do shkundë politikën
Kujtim Cakrani, avokati i Ilir Metës, në një lidhje direkte me emisionin “Breaking” të Xhoi Malësisë në Top News, ka folur për gjendjen e ish-Presidentit gjatë qëndrimit në burg, pothuajse një vit pas arrestimit të tij.
Cakrani zbuloi se Meta është duke punuar mbi një libër, i cili, sipas tij, do të trazojë skenën politike shqiptare.
“Zoti Meta është duke shkruar një libër që përfshin angazhimin e tij politik gjatë 35 viteve të fundit. Do të jetë një vepër që do t’u tregojë shqiptarëve çfarë ka ndodhur pas kuintave të politikës shqiptare dhe do ta trondisë atë. Ai po hedh në letër kujtimet dhe veprimtarinë e tij politike. Zoti Meta do të jetë si ‘Konti i Monte Kristos’ i politikës shqiptare,” tha avokati.
Kujtojmë se Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024. SPAK mbylli hetimet për dosjen “Meta” më 28 korrik dhe e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Dosja përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ–DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Ndërkohë, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çokut u ngritën akuza për pastrim parash.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



