Inceneratori/ Veliaj është pyetur për firmën në emër të Këshillit Bashkiak
Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Kuvend për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2024, është ndalur edhe në çështjen e inceneratorëve, një nga aferat më të përfolura të viteve të fundit.
Dumani bëri të ditur se për tre inceneratorët, të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, janë hetuar gjithsej 71 persona nga nivele të ndryshme të administratës dhe biznesit. Ai shtoi se të gjitha fazat hetimore kanë konfirmuar kualifikimin ligjor të veprimtarisë si “grup i strukturuar kriminal”.
“SPAK ka hetuar 71 persona të të gjitha niveleve. Disa prej tyre janë tashmë në gjykim, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe për persona të tjerë që mund të rezultojnë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, të gjitha fazat hetimore kanë konfirmuar se kualifikimi ligjor i bërë nga Prokuroria e Posaçme ka qenë i drejtë,” deklaroi Dumani.
I pyetur nga deputetët përse ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk është marrë ende i pandehur për inceneratorin e Tiranës, Dumani sqaroi se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar. Ai konfirmoi gjithashtu se Veliaj është pyetur në lidhje me firmën e vendosur në emër të Këshillit Bashkiak për kontratën e inceneratorit, duke theksuar se kjo është pjesë e hetimeve që ende vijojnë.
“Hetimet paraprake nuk kanë përfunduar, por vazhdojnë akoma,” tha Dumani, duke nënvizuar se çdo veprim dhe përgjegjësi zyrtare po analizohet me kujdes nga prokurorët e çështjes.
Deklaratat e kreut të SPAK nënkuptojnë se, ndonëse një pjesë e aferës është dërguar në gjykim, dosja e inceneratorëve nuk është mbyllur, dhe mund të ketë zhvillime të tjera në muajt në vijim, përfshirë edhe ndaj funksionarëve të lartë lokalë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



