E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tërheqja e “çuditshme” e turqve nga 40% i Aeroportit të Vlorës
Lajme

Tërheqja e “çuditshme” e turqve nga 40% i Aeroportit të Vlorës

Në një skenar që ngjan shumë me çështjen e tunelit të Llogarasë, për të cilin është nën hetim nga SPAK, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, rezulton se ka ndjekur të njëjtin model edhe për projektin e aeroportit të Vlorës.

Një intervistë e fundit e biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, dhënë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ka nxjerrë në pah prapaskenat e mënyrës sesi zhvillohen tenderat dhe koncesionet madhore në Shqipëri. Sipas rrëfimit të tij, shumë nga “garat” janë në fakt të paracaktuara, ku fituesit dihen që përpara se të hapen ofertat.

Pacolli tregoi se kur kishte vendosur të merrte pjesë në tenderin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, u kontaktua nga një i njohur i tij, përfaqësues i kompanisë turke YDA Group. Ky i fundit e kishte informuar se kishin marrë udhëzim nga “presidenca turke” që të ishin pjesë e projektit. “Më telefonoi dhe më tha se do të hynte në garë bashkë me mua, sepse kështu i ishte kërkuar nga lart”, rrëfeu Pacolli.

Në fakt, YDA Group u përfshi në garë vetëm për të plotësuar kriterin teknik — praninë e një kompanie me eksperiencë në ndërtimin e aeroporteve, një kërkesë që ishte vendosur si kusht i detyrueshëm për pjesëmarrje. Por, sapo procesi përfundoi dhe tenderi iu dha bashkimit të tyre, kompania turke u tërhoq, duke përfituar – sipas Pacollit – 3 milionë euro vetëm për dokumentacionin që kishte dorëzuar.

Në këtë pikë, sipas burimeve, lind dyshimi se ministrja Balluku ka qenë e përfshirë në një marrëveshje të fshehtë me përfaqësuesit e YDA Group. Pacolli ka treguar se gjatë një takimi zyrtar në zyrën e ministres, ajo nuk i drejtoi asnjë fjalë atij, por foli vetëm me përfaqësuesin turk, duke e detyruar biznesmenin kosovar të largohej nga takimi. Pyetjet që ngrihen janë të qarta: pse u zhvillua ky takim para shpalljes së fituesit dhe çfarë u diskutua mes ministres dhe palës turke?

Ngjashmëritë me tenderin e tunelit të Llogarasë janë të dukshme. Edhe atje përmendej ndikimi i Ankarasë dhe emri i presidentit Erdogan. Në dosjen e SPAK për tunelin, një mesazh i siguruar nga hetimet tregon se një nga kompanitë turke ishte “e preferuara e presidentit”. Edhe në rastin e aeroportit të Vlorës, modeli duket identik: kompani turke që marrin pjesë vetëm në letër, përfitojnë miliona euro dhe më pas largohen pa kontribuar asgjë.

Në intervistën e tij, Pacolli e mohoi të ketë paguar ryshfet apo të jetë përfshirë në ndonjë marrëveshje korruptive, duke deklaruar: “As Rama, as Balluku nuk janë marrë me përqindje aksionesh. I vetmi interes i Ramës ishte nëse aeroporti mund të përfundonte para zgjedhjeve, por kjo ishte e pamundur”.

Megjithatë, pyetja që mbetet pa përgjigje është: si ka mundësi që Pacolli dhe YDA Group fituan një garë që tashmë është objekt hetimi nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre?

Hetimet kanë zbuluar se tenderi, i hapur në fund të vitit 2020, është zhvilluar me një sërë parregullsish. Fillimisht kërkohej që aeroporti të kishte kapacitet për 10 milionë pasagjerë dhe dy kulla kontrolli. Por vetëm katër ditë para mbylljes së garës, kriteret u ndryshuan në mënyrë të dyshimtë: kapaciteti u ul në 2 milionë pasagjerë dhe parashikimi për dy kulla u reduktua në një të vetme. Ky ndryshim i papritur favorizoi dukshëm ofertën e bashkimit që përfshinte kompaninë turke.

Në të njëjtën kohë, kompania britanike AL-DE Corporation LTD, e cila kishte paraqitur kushte shumë më të favorshme për shtetin shqiptar, u përjashtua nga gara nën arsyetimin absurd se “nuk kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar”. Pas skualifikimit, britanikët e denoncuan publikisht procesin si të manipuluar dhe njoftuan autoritetet shqiptare e ndërkombëtare. Si rezultat, SPAK hapi një hetim për favorizim të palëve të caktuara, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas të dhënave zyrtare, pas marrjes së koncesionit, konsorciumi fitues përbëhej nga tre kompani:

  • Mabco Construction, e Pacollit, me 58% të aksioneve;

  • YDA Group, me 40%;

  • 2A Group, e biznesmenit Valon Ademi, me 2%.

YDA Group kishte hyrë në projekt vetëm për të justifikuar eksperiencën teknike, ndërsa pas përfundimit të procedurës u tërhoq menjëherë, duke shitur pjesën e saj për një shumë simbolike prej 4200 eurosh. Megjithatë, Pacolli zbuloi se në realitet, turqit morën 3 milionë euro, pasi kishin kërkuar fillimisht 5.

Ky veprim duhet të kishte ngritur menjëherë alarmin në institucionet shtetërore, pasi ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat kërkon që çdo ndryshim në strukturën e aksionerëve të një kontrate koncesionare të miratohet nga autoriteti kontraktor dhe Ministria e Financave përpara se të bëhet efektiv. Në këtë rast, asnjë prej institucioneve nuk ka reaguar.

Fakti që shitja e 40% të aksioneve nga turqit te Pacolli, e bërë në dhjetor 2022, është miratuar nga vetë ministrja Balluku dhe nga ministrja e Financave, tregon qartë se këto institucione kanë qenë jo vetëm në dijeni, por edhe bashkëpjesëmarrëse në një proces që tashmë SPAK e ka vënë nën lupë për parregullsi të rënda.

Në të dyja rastet, tuneli i Llogarasë dhe aeroporti i Vlorës, modeli është i njëjtë: garë e paracaktuar, kompani të huaja të futura për fasadë dhe përfitime të mëdha financiare pa punë reale. Pyetja e vetme që mbetet është se sa projekte të tjera strategjike janë zhvilluar në të njëjtën mënyrë, nën sytë e institucioneve që duhej të garantonin transparencën.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.