Pse Fuqitë e Mëdha po kërkojnë një opozitë të re në Shqipëri
Perparim Gjeka | Opinion | Publik.al
Historia e shtetit shqiptar ka treguar, përfshirë edhe atë të shtetit të ri shqiptar të Kosovës, se ardhja në pushtet dhe ndryshimi i pushteteve ka qenë i lidhur ngushtë me (nëse nuk është determinuar plotesisht nga) zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare. Ra Perandoria Osmane, ishte e fortë Perandoria Austro-Hungareze që na mbështeti, pa lindi shteti shqiptar. Zogu e mori dhe konsolidoi pushtetin me ndihmën e fuqisë më të interesuar që të mos kishte zhvillime demokratike në Shqipërinë e kohës, Jugosllavisë së parë. Zogu iku përsëri me ndërhyrjen e fuqisë më të madhe rajonale të kohës, Italisë fashiste. Askush nuk do të ishte në gjendje të përmbyshte mbretërinë zogiste. Deri sot do kishim akoma Lekën mbret. Përsëri lapsi i keq gjeopolitik favorizoi komunistët në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore dhe ata ranë nga pushteti pas gjysmë shekulli kur ra komplet blloku komunist i Lindjes. Pra ishte çështje kohe rënia e sistemit socialist në Shqipëri pas rënies së murit të Berlinit dhe shpërberjes së Bashkimit Sovjetik.
Megjithëse edhe në çdo epokë tjetër kombi ynë ka qenë pak me vonesë historike, tranzicioni ynë drejt demokracisë zgjati dhe po zgjat tmerrshëm shumë. Por tashmë janë krijuar të gjitha kushtet që ky tranzicion me klasën politike me liderë kontrollues të formuar në kohën e komunizmit të jetë në grahmat e fundit të tij. Ka ardhur një kohë e re dhe kërkohet një klasë politike e re pa lidhje me komunizmin e jo zgjatim i tranzicionit të dhimbshëm. Tashmë janë krijuar njëkohësisht edhe kushtet e brendshme, edhe ato të jashtme thuajse plotësisht.
Kushtet e jashtme:
Dy forcat e jashtme me ndikimin më të madh në shtetin tonë janë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat janë duke ushtruar trysni mbi politikën shqiptare për reforma, përkatësisht me hapjen e negociatave me BE dhe tashmë me përafrimin konkret në çdo fushë me standardet europiane, si dhe forcimi i ligjit dhe ndëshkimi i krimit e korrupsionit me anë të SPAK dhe gjykatave të posaçme ku SHBA është më aktive.
Kushtet e brendshme:
Pikërisht në të dy këto komponente klasa aktuale politike përfshirë pozitën dhe opozitën e madhe parlamentare janë në pozicione antagoniste me fuqitë perëndimore, pozita të cilat shfaqen si vijon:
Në raport me SPAK dihet qëndrimi i pandryshuar i kreut të Partisë Demokratike për zhbërjen e reformës në drejtësi. Duke qenë edhe vetë subjekt i ndjekur nga SPAK kuptohet qëndrimi i tij dhe i opozitës parlamentare të emëruar prej tij. Por ajo që e ka mbajtur në pushtet kaq gjatë kreun e qeverisë pikërisht mbështetja, qoftë edhe formale, ndaj reformës në drejtësi, ka prekur fundin me karshillekun e tij ndaj SPAK duke mos shkarkuar zv. kryeministren e tij. Ndërkohë edhe lidhjet apo përgjegjësitë personale të kryeministrit me gjithë aferat kryesore në vend, përfshirë ato me krimin e organizuar, për të cilat shërbimet partnerë kanë informacion të plotë, e bëjnë atë një kryeministër në ikje.
Në të njëjtën kohë, edhe pse duket se BE ose të paktën ndonjë zyrtar i saj po jep mbështetje publike për qeverinë shqiptare duke theksuar përparime në negociata dhe perspektivë të afërt për anëtarësim në BE, e vërteta është se në zbatim të normave të BE Shqipëria është vendi me standardet më të ulëta, qoftë në aspektin ekonomik, social, mjedisor, zbatimit të ligjit, etj. BE nuk mundet të fusë në gjirin e saj një “gjarpër në gji” me këtë nivel varfërie, krimi e korrupsioni. Dhe Rama që është kumbari i kësaj ngrehine nuk mund të jetë ai që do ta shkatërrojë atë, sepse edhe nëse tenton, e di që trarët e parë që bien do ta godasin atë vetë. Shtimi i masave për sigurinë personale kohët e fundit shpjegohet me këtë dilemë të kreut të qeverisë.
Të kapur në këtë kurth, ku nga njëra anë janë trysnitë ndërkombëtare për ndryshim dhe nga ana tjetër interesat e kësaj klase politike për mosndryshim, përpjekja e fundit e përbashkët e tyre është rritja edhe më e madhe e kompetencave autoritare si në pozitë dhe opozitë, një karshillek për t’iu imponuar me sovranitet popullor fuqive të jashtme, duke miratuar një ligj zgjedhor dhe territorial në funksion të një kontrolli të plotë brenda vendit dhe goditjes me ligj të reformës në drejtësi.
Në këto kushte, kur forcat e jashtme kanë vertet nevojë për një opozitë te besueshme brenda vendit, ajo opozitë do të mund të ngjizej dhe evidentonte veten pikërisht duke mbrojtur dhe theksuar dy pikat ku ndërkombëtarët kanë nevojë më shumë dhe ku klasës politike aktuale i dhemb më shumë: mbrojtja publike e SPAK dhe denoncimi i ligjeve të reja zgjedhore për instalimin e kontrollit të plotë autokratik mbi shqiptarët që po tentohet të aprovohet bashkërisht në Kuvend.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



