PSE SPAK NUK PO E HETON AKOMA KRYEMINISTRIN?
Perparim Gjeka
Në çdo vend ku drejtësia mund t’i bindë qytetarët se është vërtet e pavarur, ekziston një provë themelore: a ka ajo guximin të ngjitet deri te maja e pushtetit? Jo aty ku pushteti zbatohet, por aty ku ai konceptohet, drejtohet, mbrohet dhe justifikohet. Te vullneti politik që krijon klimën, zgjedh njerëzit, imponon ritmin dhe shpall të paprekshme sukseset e veta. Në Shqipëri dihet që ka vetëm një emër që i bën të gjitha këto: atëherë, pse SPAK nuk e heton kryeministrin?
Sepse, në një sistem të fortë vertikal, ku çdo gjë e rëndësishme kalon përmes vullnetit të kryeministrit, është e pabesueshme të mendohet se skandalet më të mëdha të një dekade kanë ndodhur rreth tij, pranë tij, nën hijen e tij, me mbrojtjen e tij publike, por pa hyrë kurrë në rrethin e përgjegjësisë së tij. Mund të mos jetë firmëtari teknik i çdo dosjeje; por kjo nuk e zbeh pyetjen. Përkundrazi, e thellon. Sepse, në regjimet e centralizuara autokratike, lideri që nuk firmos gjithçka është ai pa të cilin nuk firmoset asgjë.
Inceneratorët janë prova më domethënëse e kësaj logjike. Nuk ishin thjesht kontrata false. Nuk ishin thjesht procedura në letër. Ishin një narrativë politike, një mbrojtje publike, një këmbëngulje qeveritare për t’i paraqitur si sukses, si modernizim, si zgjidhje. Kur një çështje e tillë del kallp, hetimi duhet të ngjitet atje ku projekti mori frymë politike, atje ku u mbrojt me forcë edhe kur drejtësia dyshoi, atje ku u kthye në flamur të propagandës qeveritare.
E njëjta gjë vlen për Portin e Durrësit, Porto Romanon, ligjin për investitorët strategjikë, tunelin e Llogarasë, Unazën e Madhe, Air Albania, AKSHI-n dhe një seri të gjatë projektesh që kanë hyrë në jetën publike jo thjesht si nisma administrative, por si monumente të vullnetit politik të kryeministrit. Këto nuk janë detaje periferike të qeverisjes. Janë pikërisht projektet me të cilat pushteti ka dashur të identifikohet, të reklamohet, të marrë merita dhe të ndërtojë mitin e vet si forcë transformuese. Atëherë përgjegjësia nuk mund të zhduket për mënyrën si janë konceptuar, tenderuar, mbrojtur apo financuar.
Ligji për investitorët strategjikë është ndoshta shembulli më i qartë i një deformimi më të thellë: kur pushteti nuk mjaftohet më të ndikojë në zbatim, por ndërhyn që në ndërtimin e vetë terrenit ligjor. Aty korrupsioni nuk paraqitet domosdoshmërisht si thyerje e ligjit; ai mund të shfaqet si përdorim i ligjit për të krijuar privilegj. Dhe ky është korrupsioni më i rrezikshëm, sepse nuk duket menjëherë si skandal; fillimisht duket si procedurë, si zhvillim. Nuk troket si krim; hyn si favorizim i institucionalizuar. Pikërisht për këtë arsye, hetimi i kryeministrit nuk duhet parë vetëm në dritën e një dosjeje të veçantë, por edhe në dritën e një filozofie qeverisëse që mund të ketë krijuar korridore të posaçme për interesat e afërta me pushtetin. Zhvillimin e vendit nuk mund ta sjellin as oligarkët e lidhur me pushtetin, as “investitorët” gazmorë me kredi në banka, por investitorë seriozë ndërkombëtarë me përvojë të gjatë dhe know-how avangardë.
Pastaj vjen tabloja e përgjithshme si pamje sistemi. Bashki me dosje në prokurori. Shumica e kryebashkiakëve të dënuar ose nën hetim. Raporte të përsëritura për shpërdorime dhe keqmenaxhim. Projekte publike me kosto të fryra mbi dyfish krahasuar me Bashkimin Europian. Pasuri kombëtare të lëvizura në emër të zhvillimit. Ndërmarrje të reklamuara si krenari, por të lëna më pas në mjegull financiare. Kjo nuk është më çështje individësh të shkëputur. Kjo është arkitekturë pushteti.
Pra, pse nuk hetohet akoma “arkitekti”? Sepse hetimi i tij do të ishte më shumë sesa hetim i një personi. Do të ishte hetim i modelit. Do të ishte vënie në provë e vetë mënyrës si është ushtruar pushteti në Shqipëri. Do të ishte përballje me një qendër vendimmarrjeje që ka përqendruar jo vetëm kompetencat, por edhe frikën që prodhon pushteti i madh. Kur prek majën, nuk lëviz vetëm një emër; lëkundet gjithë piramida e bindjes, e interesit dhe e heshtjes. Gjithë sistemi i privilegjuar në 35 vjet, mazhoranca dhe opozita politike, oligarkia kriminale, segmentet shtetërore të kontrolluara nga krimi dhe narkotrafiku, mediat e investuara prej tyre, investohen si një trup i vetëm për të mbrojtur atë që i mbron, majën e pushtetit.
Por drejtësia jonë ende nuk ka treguar gjithmonë se di ta lexojë sistemin. Ndërkohë, korrupsioni i lartë rrallë shkruan gjithçka në letër. Ai vepron përmes klimës urdhrit gojor, përmes hierarkisë, përmes besnikërisë, përmes emërimeve, përmes sinjaleve të pashkruara dhe mbrojtjes publike. Pikërisht aty duhet të provojë veten drejtësia e re: te aftësia për të hetuar jo vetëm shkeljen formale, por edhe strukturën reale të pushtetit që e prodhon atë.
Dhe, po, kryeministri duhet hetuar, sepse në një republikë normale, askush që ka marrë mbi vete gjithë peshën e vendimmarrjes dhe gjithë meritën e projekteve nuk mund të përjashtohet nga barra e dyshimit kur këto projekte dalin të mbuluara me hije. Hetimi është akti më minimal i barazisë para ligjit. Për këtë u formua SPAK. Me gjithë këto dështime e shperdrorime deri ne 1 miliard euro ne vit mesatarisht deklaruar nga Kontrolli i Larte i Shtetit, e pakta është hetim per shpërdorim detyre e më pas të ndiqet paraja.
Shqiptarët duhet të kuptojnë nëse drejtësia është vërtet në ndjekje të pushtetit të korruptuar, apo nëse pushteti vazhdon dhe e korrupton drejtësinë.
?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



