Ilir Meta: Di gjëra për 21-Janarin që mund të ndryshojnë gjithçka
Protesta e 21 janarit 2011, e cila përfundoi tragjikisht me vrasjen e katër qytetarëve para Kryeministrisë, u organizua nga opozita e asaj kohe pas publikimit të videos së Ilir Metës, ku ai shfaqej duke biseduar me ministrin Dritan Prifti dhe ku përmendej një shumë prej 700 mijë dollarësh.
Pas 14 vitesh nga ajo ngjarje që tronditi vendin, ish-presidenti Ilir Meta i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme me kërkesën për t’u thirrur dhe pyetur si person që zotëron të dhëna lidhur me rrethanat e asaj dite. Në kërkesën e depozituar për prokurorin e posaçëm Alfred Shehu, Meta shkruan se është në gjendje të japë dëshmi që nuk i janë bërë të ditura organit hetimor dhe që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes.
Ndërkohë, SPAK vijon hetimin për akuzat “vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, shpërdorim detyre dhe veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës. Si pjesë e këtij procesi, pas më shumë se një dekade, janë marrë dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha.
Në protestën e 21 janarit u vranë Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Për vrasjen e Myrtaj dhe Veizit janë dënuar ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi (1 vit burg) dhe ish-gardisti Agim Llupo (3 vite burg), ndërsa dy vrasjet e tjera vijojnë të mbeten pa autor.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



