Kush ishte zyrtari i lartë që e GROPOSI dosjen e 21-Janarit?
Një nga dosjet më të diskutuar të ditëve të fundit është ajo e “21 Janarit”. Kreu i PD-së, Sali Berisha, është marrë tashmë në pyetje, ndërsa së fundmi ka ardhur edhe një kërkesë nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta,aktualisht në paraburgim, i cili ka shprehur gatishmërinë të dëshmojë për ngjarjen e rëndë të vitit 2011.
Ish-prokurori Ervin Karanxha e cilësoi këtë zhvillim si një rast të paprecedentë, duke theksuar se Prokuroria e Përgjithshme e asaj kohe ka bërë gabime të rënda procedurale në hetimet e para 15 viteve.
Sipas tij, prokuroria e drejtuar nga Ina Rama “groposi” dosjen, duke mos ndërmarrë veprimet që parashikonte ligji.
“Është rast i paprecedentë. Sot të pyesësh për një ngjarje që ka ndodhur para 15 vjetësh, vetëm pak ditë para se të mbushen fiks 15 vjet… Prokuroria e Përgjithshme atëherë duhet të kishte marrë përsipër hetimet që në fillim. Kodi i Procedurës Penale i kohës e lejonte këtë. Hetimet dhe verifikimet për zyrtarët e lartë duheshin kryer nga Prokuroria e Përgjithshme, por Ina Rama nuk e kreu detyrën.”
Ai shtoi se prokuroria e kohës duhej t’i jepte dosjes numër procedimi, të regjistronte çështjen dhe të niste marrjen në pyetje të zyrtarëve të lartë, pavarësisht nëse ata paraqiteshin apo jo.
“Sot kemi një ngjarje të 15 viteve më parë. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë detaje harrohen. 15 vjet janë shumë — edhe për një dënim, edhe për një hetim”, tha Karanxha.
Megjithatë, ai e cilësoi pozitive faktin që SPAK po zbaton vendimet e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mban në vëmendje figurat kryesore të ditës së 21 janarit. Kujtojmë se më herët është marrë në pyetje edhe Lulzim Basha”, u shpreh Karanxha në emisionin “Të Pashoq”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



