E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mbrojtja e Ballukut nga Rama, reagon Shoqata e Gjyqtarëve
Lajme

Mbrojtja e Ballukut nga Rama, reagon Shoqata e Gjyqtarëve

“Presion ndaj organeve të drejtësisë”

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje komunikimin publik të kryeministrit Edi Rama lidhur me shqyrtimin gjyqësor të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Çështja është në shqyrtim jo vetëm nga gjykatat e posaçme, por edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Në një deklaratë zyrtare, Shoqata shpreh shqetësim të thellë për qasjen e Kryeministrit, e cila sipas tyre mund të perceptohet si presion politik ndaj pushtetit gjyqësor. Shoqata thekson se mesazhet e përsëritura në publik krijojnë një klimë mosbesimi ndaj gjyqësorit dhe mund të shfrytëzohen si justifikim për kufizime apo ndërhyrje në funksionimin e tij.

“Shteti i së drejtës bazohet mbi ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Pavarësia e gjyqtarëve është një parim themelor dhe çdo veprim ose deklaratë që minon këtë pavarësi e cenon besimin e qytetarëve tek drejtësia,” thuhet në reagimin e Shoqatës.

Shoqata vë në dukje se ndërhyrjet e mundshme, apo çdo akt që perceptohet si presion ndaj gjyqtarëve, rrezikon rëndë funksionimin e drejtësisë. Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë gjithashtu kanë adresuar shqetësimin mbi ndërhyrjet dhe presionet ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.

“Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Vendimet e tyre mund të jenë të papëlqyeshme për disa, por kjo nuk i bën ato ilegjitime. Sistemi demokratik vepron brenda standardeve të shtetit të së drejtës, dhe gjyqtarët janë zbatuesit finalë të këtyre standardeve,” vijon deklarata.

Shoqata fton secilin zyrtar të lartë të pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve dhe të shmangë çdo sjellje që mund të ndikojë në vendimmarrjen e tyre. Ndërhyrja gjatë procedurave gjyqësore konsiderohet një nga format më të rrezikshme të shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve, pasi synon të deformojë vendimet përmes presionit.

Deklarata përfundon me një rikujtim se pavarësia e gjyqtarëve është themeli i funksionimit të shtetit të së drejtës dhe çdo cenim i saj dëmton rëndë besimin e publikut në institucionet e drejtësisë.

Reagimi i Plotë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme.

Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.

Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.

Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët.

Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.

Për Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

K R Y E T A R I
Engert PËLLUMBI

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.