Zbulohet ‘marifeti’ që përdori Shabani për të marrë firmat e PD-së
Shpërthen Berisha: Doli me lidhje kryekëput me Edi Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli me deklarata të forta jashtë Kuvendit, duke zbuluar pse PD tërhoqi firmat për kandidaturën e Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit.
Sipas tij, Shabani fillimisht i mori firmat e opozitës në kohën kur mbështeti kandidaturën e Florian Binajt për Bashkinë e Tiranës, një moment që Berisha e cilësoi si “koalicion moral të gjithë forcave politike”.
Por më pas, sipas kreut të PD-së, situata ndryshoi rrënjësisht.
“Doli një seri problemesh… ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën”
Berisha tha:
“Dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën.”
Sipas tij, ky qëndrim nuk është vetëm i PD-së, por edhe i “faktorëve të tjerë të palidhur me opozitën”, të cilët kërkojnë që Avokati i Popullit të jetë një figurë me integritet të lartë dhe të besueshme.
PD godet mazhorancën: “Hodhi poshtë vendimin e Komisionit të Ligjeve vetëm që të shpëtonte firmat për Shabanin”
Berisha akuzoi mazhorancën se anuloi në mënyrë të habitshme vendimin e Komisionit të Ligjeve, i cili u kishte hequr deputetëve të drejtën për të firmosur më shumë se një kandidat.
Sipas tij, arsyeja ishte e qartë:
“Se humbisnin firmat për Endri Shabanin.”
PD njoftoi Kuvendin se po tërhiqte firmat për të gjithë kandidatët, ndërsa Berisha theksoi se kandidaturat e propozuara nga opozita – përfshirë Besim Ndregjonin dhe Adrianë Kalaja – plotësonin çdo standard për atë detyrë.
“Rrëmbim institucioni” dhe dështim i bashkëpunimit
Berisha deklaroi se mazhoranca “rrëmbeu” një institucion që sipas tij “tradicionalisht i përkiste opozitës”, duke shkatërruar çdo përpjekje për bashkëpunim mbi reformat e rëndësishme.
“Ulja me ta në tavolinë është totalisht pa fryte,” përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



