Plas sherri, protestuesit e Lapajt përplasen e policinë
Partia “Shqipëria Bëhet” ka zhvilluar sot protestën e paralajmëruar para Kryeministrisë, e cila ka nisur me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Që në momentet e para, protestuesit janë përpjekur të afrohen drejt godinës së Kryesisë së Kuvendit, duke u përplasur fizikisht me efektivët e policisë që kishin ngritur perimetrin e sigurisë. Situata është tensionuar më tej mes thirrjeve kundër kryeministrit Edi Rama, ku dëgjoheshin slogane si “Edi Rama o hajdut” dhe “Edi Rama o frikacak”.
Sipas organizatorëve, protesta ka agravuar pasi policia ka tentuar të heqë foninë dhe podiumin e ngritur për fjalimet, ku kreu i partisë, Adriatik Lapaj, po mbante fjalën e tij para mbështetësve. Kjo ka sjellë reagime të forta nga protestuesit, të cilët e kanë cilësuar veprimin si përpjekje për të penguar tubimin.
Gjatë fjalimit, Adriatik Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, duke e akuzuar atë për mosmbajtje të premtimeve.
“Ftoj qytetarët të bashkohen dhe që Rama të dorëhiqet. Premtimet që dha, Rama gënjeu dhe nuk i mbajti. Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes. Nuk trembem nga procedimet penale”, deklaroi Lapaj.
Protesta vijon nën masa të shtuara sigurie, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar deri në këto momente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



