Paratë e krimit janë pushteti real, Rama është vetëm firma
Nëse Edi Ramës dhe bandave që kontrollojnë miliardat e tenderave, koncesioneve dhe pastrimit të parave do t’u hiqej oksigjeni financiar, pushteti i tij do të shembej brenda ditës. Jo me zgjedhje. Me turp. Sepse ky nuk është një pushtet që mbahet nga vota, por nga paratë e pista që e ushqejnë çdo orë.
Dy projektligje të Kongresit Amerikan – H.R.5274 dhe S.1909 – e vendosin Shqipërinë zyrtarisht në listën e vendeve ku politikat publike diktohen nga financimi kriminal dhe ku qeveria nuk garanton dot as sigurinë e vet. Ky është një aktakuzë ndërkombëtare. Jo thashethem politik. Jo opinion opozitar. Por dokument zyrtar i aleatit strategjik të Shqipërisë.
Shqipërinë nuk e udhëheqin qytetarët. As zgjedhjet. Shqipërinë e udhëheqin paratë e krimit dhe oligarkët që kontrollojnë tendera, porte, energji, licenca bregdeti dhe teknologjinë shtetërore. Çdo projekt me miliona euro kalon përmes pazarit të tyre. Edi Rama është garanti i këtij sistemi. Pa ta, ai nuk qëndron dot asnjë ditë në pushtet.
Raporti i fundit amerikan e trajton Shqipërinë si një shtet të kapur, ku kapitali kriminal blen qeverisje. Uashingtoni kërkon verifikim urgjent të pasurive të kompanive që marrin qindra miliona euro nga buxheti, ndërkohë që në letra deklarojnë kapitale qesharake. Këto kompani ndërtojnë kulla, parqe energjie dhe porte pa dhënë asnjë llogari për burimin real të parasë. Kjo nuk është vetëm korrupsion. Është rrezik sigurie kombëtare dhe rrezik për NATO-n.
Hetimi i kërkuar nga SHBA shkon edhe më tej: te grabitja e pronave të ushtrisë. Zona strategjike dhe pasuri të mbrojtjes kombëtare kanë kaluar nën kontroll të biznesmenëve të lidhur drejtpërdrejt me kryeministrin. Ministria e Mbrojtjes ka firmosur marrëveshje që zëvendësojnë interesin kombëtar me interes privat. Për këtë arsye, SHBA ka autorizuar audit të thelluar mbi institucionet shqiptare, për të verifikuar nëse këto pasuri po përfundojnë në duar që punojnë kundër sigurisë së aleancës.
Mesazhi për SPAK-un është i qartë dhe i prerë: mjaft me “ushtarët e vegjël”. Goditja duhet të shkojë te krimi i organizuar dhe oligarkët që vendosin kush fiton pushtet, kush humbet dhe kush mbijeton politikisht. Nuk do të ketë më qokaxhinj të pandëshkuar. Nuk do të ketë më falje për sponsorët. Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara synojnë të godasin drejtpërdrejt edhe bizneset që financojnë kryeministrin.
Rama ka ndërtuar një shtet ku siguria kombëtare është nën kontrollin e krimit të organizuar. Sektorët strategjikë – ndërtimi, portet, energjia, teknologjia – janë kthyer në prona të rrjeteve klienteliste. Kjo është e papranueshme për një vend anëtar të NATO-s. Dhe Uashingtoni nuk e toleron më këtë turp të një aleati formal dhe të kapur realisht.
Në fokus të hetimit është edhe figura e “middle man”-it: hallka më e rrezikshme e sistemit. Ai që shpërndan tendera, mbledh përqindje, krijon kompani kukulla dhe mban gjallë pushtetin përmes parasë së zezë. Zyrtarët amerikanë kanë vendosur të zbulojnë kush i lëviz fijet në prapaskenë dhe kush i jep oksigjen financiar qeverisë. Ky proces nuk synon vetëm politikanët që firmosin, por çdo individ që ka blerë vendimmarrje, ka shantazhuar institucione dhe ka kontrolluar ministri përmes parasë dhe presionit.
Goditja e këtyre rrjeteve do të thotë këputje e zinxhirit që mban peng shtetin. Të njëjtët “të fortë” që deri dje talleshin me drejtësinë vendase, sot po bëjnë gati valixhet. Sepse e dinë se Uashingtoni nuk negocion me ata që financojnë politikën me para të pista.
Mesazhi është brutal dhe pa ekuivok: oligarkët që mbajnë Ramën do të hyjnë në listat e sanksioneve. Llogaritë bankare do t’u bllokohen. Qarkullimi financiar do t’u ndërpritet. Aksesi në para publike do t’u ndalohet. Dhe atëherë Edi Rama do të duhet të llogarisë sa vlen pushteti i tij, kur mbrojtësit financiarë futen në karantinë ndërkombëtare.
Tani fillon rënia e “të fortëve” të rremë që blenë Shqipërinë me tendera dhe leje ndërtimi. Dhe bashkë me ta, fundi politik i kujtdo që i ka mbrojtur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



