E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Katastrofë në Kurbin e Fushë-Krujë, çahet argjinatura e lumit Droje
Lajme

Katastrofë në Kurbin e Fushë-Krujë, çahet argjinatura e lumit Droje

Çarja e argjinaturës së lumit Droje ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në fshatin Adriatik të Kurbinit, si edhe në dy fshatra të Fushë-Krujës, Dukagjin i Ri dhe Miliska, duke sjellë përmbytje të rënda dhe izolim të dhjetëra familjeve.

Prej katër ditësh, banorët vijojnë të jenë të shkëputur nga pjesa tjetër e zonës, ndërsa niveli i ujit po rritet vazhdimisht. Përmbytjet kanë sjellë vështirësi serioze në lëvizje, ndërkohë që situata po rëndohet edhe më tej për shkak të mungesës së ushqimit për bagëtitë.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar se situata po shkon drejt një përkeqësimi të rrezikshëm.

“Jam 78 vjeç, quhem Liza. Kemi dy ditë të izoluar. Ata që kanë mundësi largohen, ne kemi mbetur këtu. Një përmbytje e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë”, u shpreh një e moshuar nga fshati Adriatik për mediat.

Një tjetër banor thekson se uji ka depërtuar thellë në banesë dhe se problemi është i përsëritur prej vitesh:
“Te shtëpia ime uji ka arritur deri në mes. Kjo situatë nuk është e re, prej 35 vitesh jemi kështu. Rrugën e shtrojmë vetë. Gjithçka vjen nga çarja e argjinaturës, shpresojmë të paktën të bëhet një betonim”.

Dramatike paraqitet gjendja edhe për banorë të tjerë të zonës, ku përmbytjet po rrezikojnë jetën e të moshuarve dhe kanë shkatërruar plotësisht blegtorinë.

“Po na bëhen dëme me njerëz, jo vetëm me bagëti. Mua më është zhytur shtëpia në ujë prej katër-pesë ditësh. Lopët dhe delet kanë mbaruar, por kam edhe të moshuar të sëmurë në shtëpi”, shprehet një tjetër banor i fshatit Adriatik.

Nga ana tjetër, Bashkia Krujë ka konfirmuar se situata është problematike në dy fshatrat e Fushë-Krujës të përfshira nga përmbytjet. Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, uji ka depërtuar në rreth 50 banesa, kryesisht në fshatin Miliska.

“Në terren ndodhen ekipet e Bordit të Kullimit Durrës, të cilat po punojnë për përballimin e situatës dhe kufizimin e pasojave”, thuhet në reagimin e Bashkisë Krujë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.