Për çfarë “meritash” e dekoron një lider arab Kryeministrin ?
Një dekoratë zyrtare nuk është kurrë thjesht një zbukurim protokollar. Në diplomaci, medaljet janë gjuhë interesi: shenjë afrimi, falënderim për një shërbim, ose parapagim simbolik për një marrëveshje që sapo është mbyllur – apo që po mbyllet.
Fotografia e publikuar (ku Kryeministri i Shqipërisë shfaqet duke marrë një dekoratë nga një zyrtar i lartë i një vendi arab) ngre një pyetje të thjeshtë, por thelbësore për publikun: çfarë ka bërë qeveria shqiptare për interesat e atij shteti apo të kapitalit të tij, që ky nder të jepet kaq hapur?
Sepse logjika është e ftohtë: një i huaj të dekoron kur ti ke qenë i dobishëm për të. Dhe “dobia” në marrëdhëniet shtet–kapital nuk është kurrë poezi.
Dekorata si faturë e kripur
Në vendet e Gjirit, dekorimet shpesh shoqërojnë një paketë marrëdhëniesh: investime, lehtësime, akses në prona, projekte strategjike, porta hyrëse në tregje, ose pozicionim politik. Pra, nuk është pyetja “pse e do ai Ramën”, por çfarë ka marrë në këmbim Shqipëria dhe kush e ka paguar këtë çmim?
Sepse çmimin tashmë jemi mësuar se në fund, zakonisht e paguan taksapaguesit shqiptarë : me prona publike, me koncesione, me kontrata të mbyllura, me ligje të qepura, me favore fiskale, me “status investitori strategjik”, me urbanistikë të përmbysur, me akses në porte dhe bregdet.
Porti i “zhdukur” i Durrësit: simboli i një Shqipërie që shitet copë-copë
Nëse ka një çështje që e përmbledh dilemen, është Porti i Durrësit: transformimi i një infrastrukture kombëtare me peshë ekonomike dhe gjeostrategjike, në një projekt imobiliar, ku “zhvillimi” shitet si slogan suksesi, ndërsa transparenca si gjithmonë zero.
Publiku nuk ka pasur kurrë një pasqyrë të plotë e të qartë:
Çfarë humbet shteti nga zhvendosja e funksionit portual, çfarë fiton realisht ekonomia dhe kush janë përfituesit finalë.
Clat janë garancitë dhe detyrimet dhe mbi të gjitha: kush e kontrollon territorin dhe vendimmarrjen në atë hapësirë.
Në këtë panoramë, një dekoratë e re nuk duket si “mirënjohje personale”, por si vulë mbi një marrëdhënie ku shteti shqiptar hyn gjithnjë në rolin e palës së dobët.
140 milionë euro “Smart City”: teknologjia si perde për kontrata pa dritë
Kur flitet për projekte të tipit “Smart City”, pyetjet janë edhe më të rrezikshme, sepse janë projekte ku:
• paratë janë të mëdha,
• termat janë teknike,
• kontrolli publik është minimal,
• dhe “sekreti tregtar” përdoret si mjet për të mos treguar asgjë.
Në këto projekte, rreziku klasik është ky: publiku paguan sistemin, por sistemi i shërben një rrjeti privat (monitorim, të dhëna, menaxhim, kontrata mirëmbajtjeje shumëvjeçare, nënkontraktorë të padukshëm). Dhe kur investimi lidhet me aktorë të huaj me fuqi financiare, përgjegjësia shpërndahet aq shumë sa në fund askush nuk mban përgjegjësi për të dhënat dhe privacinë e shitur tek ca tregëtarë arabë.
Nëse dekorata lidhet me “merita” në këtë drejtim, publiku ka të drejtë të dijë:
Kush është operatori real dhe kush janë nënkontraktorët?!
Kush i zotëron të dhënat,ku ruhen serverat?
Cilat janë klauzolat e privatësisë dhe sigurisë?
Sa “mirëmbajtje” do të paguajë Shqipëria për 10–15 vite.
Po “meritat” e tjera cilat janë?
Një dekoratë e tillë mund të lidhet edhe me pika të tjera ku Shqipëria është bërë vitet e fundit teren i preferuar për kapital të shpejtë:
• Bregdeti dhe pasuritë publike: leje, status strategjik, ndryshime plani, përjashtime.
• Real estate: kulla, rezidenca, projekte “elitare” me burim financimi të paqartë.
• Energjia: licenca, partneritete, kontrata që duken “investim”, por shpesh janë skema risku të transferuar te shteti.
• Marrëveshje politike: përkrahje në forume, vota, pozicionime ndërkombëtare ku “interesi kombëtar” përdoret si dekor për pazare.
Në çdo rast, pyetja mbetet e njëjtë: çfarë interesi publik shqiptar është mbrojtur realisht, dhe çfarë është shkëmbyer pa mandat qytetar?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


