E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Skënder Hita prezanton planin e masave për vitin e ri arsimor
Lajme

Skënder Hita prezanton planin e masave për vitin e ri arsimor

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit do të shtojë kontrollet dhe praninë e saj pranë institucioneve arsimore në të gjithë vendin.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka prezantuar masat e sigurisë që do të zbatohen pranë shkollave, me fokus parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike, sigurinë rrugore, bullizmin dhe sigurinë ushqimore.

Hita bëri me dije se specialistët kundër narkotikëve do të kryejnë kontrolle brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me qëllim parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike nga nxënësit.

Vëmendje e shtuar do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore, veçanërisht gjatë orarit të pushimit të gjatë, kur pritet të ketë prezencë të shtuar të forcave të Policisë.

Në kuadër të masave për parandalimin e bullizmit, në shkolla do të angazhohen edhe strukturat e krimit kibernetik dhe ato që trajtojnë rastet e dhunës.

Kontrolle për sigurinë ushqimore

Një tjetër element i planit lidhet me bizneset që ushtrojnë aktivitet pranë shkollave. Policia ka nisur bashkëpunimin me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për kryerjen e kontrolleve periodike.

“Do të ketë kontrolle periodike për skadencën e produkteve dhe kushtet higjieno-sanitare”, deklaroi Hita.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë, mësuesve, psikologëve dhe bordeve të prindërve për identifikimin dhe parandalimin e problematikave që mund të shfaqen në ambientet shkollore.

Kamera inteligjente në 20 shkolla

Në kuadër të projektit “Smart City”, në 20 shkollat e para janë vendosur kamera inteligjente. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, përdorimi i teknologjisë synon të mundësojë reagim më të shpejtë të strukturave policore dhe të rrisë sigurinë pranë institucioneve arsimore.

“Kam kërkuar që masat të zbatohen në terren, përgjegjësia është konkrete. Kam udhëzuar specialistët kundër narkotikëve që të organizojnë kontrolle brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë për ndalimin e përdorimit nga nxënësit. Vëmendje të veçantë edhe për sigurinë rrugore, ku gjatë pushimit të gjatë do të ketë forca të shtuara”, u shpreh Hita.

Ai shtoi se strukturat e krimit kibernetik, ato kundër dhunës dhe shërbimet e tjera të Policisë do të jenë të pranishme për trajtimin e problematikave të bullizmit.

“Parandalimi është më i rëndësishëm se reagimi. Në kuadër të Smart City, në 20 shkollat e para janë vendosur kamera inteligjente. Teknologjia na mundëson të jemi të shpejtë në reagim dhe më pranë qytetarëve”, deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.