Shpërthen babai i Martin Çeços: Më vranë djalin për herë të dytë
“Do i djeg me benzinë, do i përvëloj si familje”
Babai i Martin Çeços, 26-vjeçarit të vrarë, ka shpërthyer në reagime të ashpra pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila vendosi masën “arrest shtëpie” për tre personat e dyshuar si autorë të krimit. I rënduar emocionalisht, ai shprehu publikisht ndjesinë e braktisjes nga drejtësia, duke theksuar se familja e tij jeton prej qershorit të vitit 2022 me një dhimbje që nuk zbehet.
Në prononcimin e tij për mediat, ai deklaroi se i biri ishte plotësisht i pafajshëm dhe se autorët e dyshuar, të cilët sipas tij janë identifikuar dhe kanë dhënë dëshmi për ngjarjen, sot po përfitojnë nga lehtësimi i masave të sigurisë. “Arresti shtëpiak për mua është njësoj si lirimi,” u shpreh ai, duke shtuar se pas më shumë se tre vitesh pritje, besimi te drejtësia është shuar.
Me tone të forta dhe i kapluar nga revolta, babai i viktimës paralajmëroi edhe mundësinë e reagimeve ekstreme, duke reflektuar gjendjen e tij të rëndë psikologjike dhe mungesën e shpresës për një vendim të drejtë.
Ai ngriti akuza serioze ndaj të dyshuarve, duke pretenduar se ata kishin precedentë kriminalë në zonën e Maliqit dhe se Martin Çeço ishte kërcënuar para se të vritej. Sipas tij, djali nuk kishte asnjë lidhje me vajzën e përfshirë në hetime dhe nuk ekzistonte asnjë motiv që ta bënte objekt të një krimi kaq të rëndë.
Duke iu referuar kualifikimit fillestar të çështjes, ai theksoi se vrasja ishte konsideruar një vepër penale që dënohej rëndë, ndërsa sot, sipas tij, vendimet e fundit po e relativizojnë përgjegjësinë penale. “Nga burgimi i përjetshëm, sot i shohim jashtë qelive,” tha ai me zhgënjim.
“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë do t’i përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare po nuk i zhduka ata. Nuk i le do ta them troç le zë më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje.
Ata janë autorët e kanë thënë me gojën e tyre vetë dhe tani t’i lirojnë. Djali nuk pati as takime me çupën asgjë. Djali im s’kishte faj. Nuk besoj më në drejtësia, i dënoi 25 vjet ja dhanë Tiranës thanë ky krim dënohet me burgim të përjetshëm, këta tani i liruan fare.
Ka mbi 3 vjet s’kam ç’them më unë do t’i djeg dhe do t’i them djalit e realizova planin tënd. Nuk dua të jetoj më dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë do vras veten në mes të gjyqit atje”, ka deklaruar i moshuari.
Reagimi i babait të Martin Çeços pasqyron jo vetëm dhimbjen e thellë të familjes, por edhe mosbesimin e madh ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa procesi gjyqësor për këtë vrasje vijon ende pa një epilog përfundimtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



