‘Shkundje’ në IKMT, zbulohet pasardhësi i Dallëndyshe Bicit
Kryeinspektorja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, është larguar sot nga detyra, pas rreth një viti e gjysmë në krye të këtij institucioni. Ajo ishte rikthyer në këtë pozicion në korrik të vitit 2024, pas një periudhe të shkurtër drejtimi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Vendimi sjell një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin e IKMT-së, institucion kyç në kontrollin e ndërtimeve pa leje dhe ndërhyrjeve në hapësirat publike. Në krye të inspektoratit është emëruar Adriatik Kupi, i cili më herët ka mbajtur funksionin e drejtorit në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Lëvizja interpretohet si pjesë e një rifreskimi më të gjerë në strukturat që kanë rol mbikëqyrës në territor, në një kohë kur IKMT ka zhvilluar aksione intensive në dhjetëra qytete të vendit për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Paralelisht me këto ndryshime, qeveria po përgatit një reformë ligjore që synon bashkimin dhe riorganizimin e inspektorateve, si atyre vendore ashtu edhe atyre qendrore. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se reforma do të synojë thjeshtimin e strukturave dhe eliminimin e hallkave që, sipas tij, nuk ushtrojnë realisht funksione në terren, por veprojnë vetëm mbi bazën e urdhrave administrativë.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi detyrën e re që mund t’i besohet Dallëndyshe Bicit. Gjatë më shumë se një dekade nën qeverisjen aktuale, ajo ka mbajtur disa pozicione kyçe në administratë. Nga viti 2013 deri në 2014 ka shërbyer si drejtoreshë e Inspektimit Juridik pranë INUK, institucion që më pas u shndërrua në IKMT. Në vijim, për afro nëntë vite, nga gushti 2014 deri në mars 2023, ajo ka drejtuar vetë IKMT-në. Nga marsi 2023 deri në korrik 2024 ka qenë në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, pas largimit të Ervin Hoxhës, i cili më pas u emërua ministër i Brendshëm dhe aktualisht është deputet.
Ndërkohë, Adriatik Kupi pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e IKMT-së. Ai ka qenë më herët administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë, përpara se të kalonte në drejtimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke u konsideruar si një figurë e afërt me mazhorancën qeverisëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



