Adriatik Kupi: Zhaneta Beqiri ka drejtuar një shërbim për të cilin Tirana duhet të krenohet
Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës, Zhaneta Beqiri, ka marrë një mesazh publik mbështetjeje nga Adriatik Kupi, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe ish-administrator i Njësisë Administrative Petrelë.
Me anë të një reagimi, Kupi shprehet se shkruan për Beqirin në tri cilësi: si mik, si bashkëkryetar partie dhe si banor i Petrelës. Ai vlerëson punën e saj shumëvjeçare në drejtimin e çerdheve dhe kopshteve publike të kryeqytetit, duke theksuar se largimi nga detyra nuk duhet të fshijë kontributin e dhënë ndër vite.
Sipas Kupit, Beqiri meriton një falënderim publik për punën e saj, ndërsa ai kritikon prirjen për të harruar njerëzit dhe kontributin e tyre sapo largohen nga funksionet që kanë mbajtur.
Në mesazhin e tij, ai i drejtohet edhe personalisht ish-drejtoreshës, duke e inkurajuar që ta shohë largimin nga detyra si një mundësi për të nisur një kapitull të ri, duke marrë me vete përvojën dhe besimin e fituar gjatë viteve.
Reagimi i plotë i Adriatik Kupit:
Po shkruaj për Zhaneta Beqirin si mike, si bashkëkryetare partie dhe si banor i Petrelës.
Do të ishte më e lehtë të heshtja. Por kur dikush ka punuar për vite për një shërbim që u hyn në punë familjeve çdo ditë, e kam për detyrë t’ia njoh punën, edhe në ditë të çuditshme si këto, ku mosmirënjohja është tipari më i zakonshëm që gjendet në anët tona.
Detyra mbaron ditën e dorëzimit të saj. Dhe ditën më pas, ata që të kanë vlerësuar për punën tënde, nuk i gjejnë dot fjalët, ose nuk duan t’i gjejnë.
Zhaneta ka drejtuar për vite çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës, një shërbim për të cilin ky qytet ka arsye të krenohet.
Ajo e meriton një falënderim publik për këtë punë.
Si mik, dua t’i them Zhanetës diçka të thjeshtë: Njeriu nuk mbaron ditën kur e heqin nga detyra. Ajo ditë mund të jetë edhe dita që të jep shtysën për të nisur diçka të re.
Përvoja, aftësia dhe besimi që ke fituar gjatë gjithë atyre viteve të përkasin ty. Me to mund të bësh ende shumë.
Vëllai yt Tiku 🫶
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



