E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rrëzohet amendamenti i Braçes, deputeti nuk voton dy pr.ligje
Lajme

Rrëzohet amendamenti i Braçes, deputeti nuk voton dy pr.ligje

Tensione e debate mes socialistëve në seancën maratonë

Në një seancë maratonë që u mbyll rreth orës 03:30 të mëngjesit, mazhoranca socialiste miratoi me 85 vota pro aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit, si edhe amendimet në dy ligje të Reformës në Drejtësi, të cilat kërkonin shumicë të cilësuar.

Edhe pse kryeministri Edi Rama mungonte në sallë, socialistët arritën të sigurojnë numrin e nevojshëm të votave falë mbështetjes së Partisë Socialdemokrate, duke kaluar pragun minimal prej 84 votash.

Me të njëjtin rezultat, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në Kodin Penal, por ky votim u shoqërua me tensione brenda radhëve të mazhorancës. Deputeti Erion Braçe u përplas sërish me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, pas debatit të mëhershëm gjatë diskutimeve për aktin normativ të buxhetit.

Braçe paraqiti një amendament që synonte ashpërsimin e masave ndaj personave që shesin produkte duhani dhe cigare elektronike fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Sipas propozimit të tij, kjo shkelje do të dënohej me gjobë deri në 300 mijë lekë ose me burgim deri në 6 muaj, në rastet kur më parë është aplikuar vetëm masë administrative.

“Amendamenti synon kriminalizimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe cigareve elektronike për të miturit”, u shpreh Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Pas tij, Taulant Balla sqaroi se paketa e ndryshimeve në Kodin Penal ishte dakordësuar pikë për pikë me Komisionin Europian dhe se për amendamentin e propozuar nga Braçe nuk ishte marrë miratim paraprak nga Delegacioni i BE-së. Ai i kërkoi deputetit socialist që ta tërhiqte nismën dhe ta rikthente për shqyrtim në një moment tjetër, propozim që Braçe e refuzoi.

“Në emër të grupit parlamentar të PS, ne mbështesim çdo iniciativë të kësaj natyre, por kemi përpara një paketë të negociuar gërmë për gërmë me Komisionin Europian. Nuk është serioze të ndryshojmë sot për nesër pa konfirmimin e tyre”, deklaroi Balla, duke u bërë thirrje deputetëve socialistë të abstenonin nëse amendamenti nuk tërhiqej.

Si pasojë, 82 deputetë socialistë abstenuan në votimin për amendamentin e Braçes, i cili mori vetëm dy vota pro.

Në vijim të seancës, Braçe nuk mori pjesë në votimin e ligjit për importin e armëve dhe atij për lobimin. Në rastin e ligjit të lobimit, ai nuk ishte i vetmi, pasi edhe deputeti Fatmir Xhafaj nuk mori pjesë në votim.

Rezultatet e votimeve në seancë

  • Akti normativ nr. 11, datë 19.12.2025, për ndryshimet në ligjin e buxhetit 2025
    85 pro, 0 abstenim, 10 kundër

  • Marrëveshja Shqipëri–Itali për bashkëpunimin strategjik
    85 pro, 0 abstenim, 0 kundër

  • Aderimi në Traktatin për Pronësinë Intelektuale
    85 pro, 0 abstenim, 0 kundër

  • Vendimi nr. 5/2024 i CEFTA-s për pronësinë intelektuale
    84 pro, 0 abstenim, 0 kundër

  • Vendimi nr. 6/2024 i CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve turistike
    85 pro, 0 abstenim, 0 kundër

  • Protokolli për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit
    85 pro, 0 abstenim, 0 kundër

  • Ndryshimet në Kodin Penal
    Votimi në parim: 85 pro, 10 kundër
    Amendamenti i Braçes: 2 pro, 82 abstenim
    Votimi në tërësi: 85 pro, 9 kundër

  • Nisma e Jorida Tabakut për Kodin Penal
    10 pro, 1 abstenim, 82 kundër

  • Ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
    85 pro, 10 kundër

  • Ndryshimet në ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë
    85 pro, 10 kundër

  • Ligji për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje
    85 pro, 1 abstenim, 0 kundër

  • Ligji për lobimin
    83 pro, 10 kundër

  • Ligji për importin dhe eksportin e armëve
    84 pro, 10 kundër

  • Ndryshimet për Komisionet Hetimore
    85 pro, 10 kundër

  • Ndryshimet në ligjin për Mediat Audiovizive
    85 pro, 1 kundër

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.