E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga parkimi dysh te shpifja, miratohen ndryshimet në Kodin Penal
Lajme

Nga parkimi dysh te shpifja, miratohen ndryshimet në Kodin Penal

Në orët e para të mëngjesit, Kuvendi i Shqipërisë i dha dritën jeshile një pakete të gjerë ndryshimesh ligjore, ku në qendër ishte edhe rishikimi i Kodit Penal, së bashku me disa projektligje të konsideruara kyçe. Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan me 85 vota pro, të siguruara nga mazhoranca, dhe parashikojnë masa ndëshkuese më të ashpra për një sërë shkeljesh, përfshirë vendosjen e gjobave dhe dënim deri në një vit burg për parkimin dyfish në rrugë.

Gjatë prezantimit të paketës, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi se këto ndërhyrje ligjore janë pjesë e procesit të integrimit europian, duke synuar afrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet dhe praktikat e Bashkimit Europian, në masën më të madhe të mundshme.

Dy nga ndryshimet që kanë ngjallur më shumë debat në opinionin publik dhe në media lidhen, nga njëra anë, me ashpërsimin e sanksioneve penale për parkimin dyfish dhe, nga ana tjetër, me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Sipas ndryshimeve të miratuara, gazetarët përjashtohen nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes, duke u garantuar imunitet vetëm në këtë kategori.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi gjithashtu me 85 vota ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe projektligjin “Për organet e qeverisjes në drejtësi”. Me votat e shumicës socialiste u miratua edhe ligji për organizimin e komisioneve hetimore, si dhe ai që rregullon fushën e mediave audiovizive.

Përveç këtyre, deputetët votuan edhe një sërë nismash të tjera ligjore, mes tyre akti normativ për buxhetin e vitit 2025, ndryshime në ligjin për duhanin, si dhe ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet.

Gjatë seancës plenare u miratuan konkretisht:

  • Akti normativ për ndryshimet në ligjin e Buxhetit 2025

  • Projektligji për bashkëpunimin strategjik

  • Projektligji “Shqipëria në Traktatin për Pronësinë Intelektuale”

  • Projektligji “Për tregtinë e pronësisë intelektuale”

  • Projektligji “Për shërbimet e agjencive të udhëtimit”

  • Projektligji “Për tregtinë e paligjshme të duhanit”

  • Projektligji “Për ndryshimin e Kodit Penal”

  • Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”

  • Projektligji “Për organet e qeverisjes në drejtësi”

  • Projektligji “Për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje”

  • Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”

  • Projektligji “Për importin dhe eksportin e armëve”

  • Projektligji “Për organizimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”

  • Projektligji “Për Mediat Audiovizive”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.